Një gol i shënuar që në minutën e katërt e ka vendosur ndeshjen mes Arsenalit dhe Paris Saint-Germainit. Kampioni i Francës, Parisi, e fitoi 1:0 ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Ndeshja e kthimit është më 7 maj në “Parkun e Princave”, por fitorja e së martës mbrëma e afron Parisin me finalen e madhe të Ligës së Kampionëve.

Ousmane Dembele e shënoi golin e fitores për Parisin. Ai realizoi me një goditje të saktë, pasi u shërbye nga Khvicha Kvaratskhelia.

Në përgjithësi lojtarët e PSG-së kanë shfaqur më shumë në stadiumin “Emirates” në Londër, ndonëse edhe “topçinjtë” kishin momentet e tyre. Deri në minutën e 35-të mysafirët dominuan plotësisht. Më pas nisën të reagojnë lojtarët e Arsenalit.

Në minutën e 45-të, Gabriel Martinelli kishte rast të mirë, por Gianluigi Donnarumma e mbajti portën e Parisit të paprekur.

Në fillim të pjesës së dytë Arsenalit iu anulua një gol për pozitë jashtë loje. Mikel Merino e dërgoi topin në rrjetë, por ishte në ofsajd.

Tjetër pritje impresive, Donnarumma kishte në minutën e 56-të, kur provoi Leandro Trossard.

Dembele vendos rekord për Parisin në Champions

1 o. më parë / 29 pri 2025 23:36
Ousmane Dembele

Paris Saint-Germaini mposhti Arsenalin në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Golin e fitores 1:0 në “Emirates” të martën mbrëma, e realizoi Ousmane Dembele në minutën e katërt.

Goli u shënua pas 26 pasimeve. Dhe sipas “Opta Analyst” që merret me statistikat e lojtarëve dhe ndeshjeve, ishte rekord në Champions për PSG-në.

“Goli i Ousmane Dembeles erdhi pas 26 pasimeve. Është rekord i vendosur nga Paris Saint-Germaini në një ndeshje të Ligës së Kampionëve, që prej edicionit 2003/04”, shkruan kjo faqe në platformën “X”.

Ndeshja kthyese luhet pas një jave.

Më i miri i ndeshjes, as Dembele e as Donnarumma

1 o. më parë / 29 pri 2025 23:07
PSG

Photo: Associated Press

UEFA ka vendosur për më të mirin e ndeshjes Arsenal – PSG. Nuk është Ousmane Dembele që shënoi golin, apo Gianluigi Donnarumma, që shpëtoi dy herë skuadrën e Parisit.

Më i miri është shpallur mesfushori Vitinha. Ai kishte saktësi prej 100 për qind në pasime. Vrapoi 11.2 kilometra, ndërsa arriti shpejtësi maksimale prej 31, 7 kilometra në orë.

Anulohet goli i Arsenalit

2 o. më parë / 29 pri 2025 22:09
Mikel Merino

Është anuluar goli i Arsenalit i shënuar në minutën e 47-të.

Mikel Merino e dërgoi topin në rrjetë, por pas rishikimit të situatës në VAR, goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Arsenali fillon të reagojë por rezultati mbetet 1:0 për PSG-në

3 o. më parë / 29 pri 2025 21:49
PSG

Ka përfunduar pjesa e parë e ndeshjes mes Arsenalit dhe PSG-së. Rezultati mbetet 1:0 për skuadrën franceze.

Skuadra e Luis Enriques dominoi në 35 minutat e parë dhe krijoi raste të shumta. Kaloi në epërsi 1:0 që në minutën e katërt me golin e Ousmane Dembeles.

Por në dhjetë minutat e fundit të pjesës së parë londinezët rreshtuan sulmet. Madje iu afruan shumë pranë golit. Në minutën e parë shtesë, Gabriel Martinelli gjuajti bukur, por Gianluigi Donnarumma shpëtoi Parisin.

Parisi po dominon plotësisht ndaj Arsenalit

3 o. më parë / 29 pri 2025 21:38
PSG-Arsenal

PSG-ja po dominon në ndeshjen ndaj Arsenalit në “Emirates”.

Pas gjysmë ore lojë, posedimi është 64-36 për parisienët. Parisi ka krijuar gjashtë raste, ndërsa Arsenali vetëm një. Rezultati mbetet 1:0 për Parisin.

Portieri David Raya ka shpëtuar Arsenalin pas gjysmë ore lojë.

Fillim i furishëm, Parisi në epërsi

3 o. më parë / 29 pri 2025 21:06
dembele

Ka nisur furishëm ndeshja Arsenal – PSG.

Parisienët kanë realizuar për 1:0 në minutën e katërt. Ousmane Dembele shënoi me asistim të Khvicha Kvaratskhelia.

VIDEO:

Formacionet zyrtare: Arsenal – PSG

4 o. më parë / 29 pri 2025 20:31
Formacionet zyrtare: Arsenal – PSG

Arsenali dhe Paris Saint-Germanini kanë publikuar formacionet zyrtare për gjysmëfinalen e parë që do të zhvillohet në “Emirates” nga ora 21:00,

Arsenal: Raya; Timber, Saliba, Kiwior, Lewis-Skelly; Rice, Merino, Odegaard; Saka, Trossard, Martinelli.

Banka rezervë: Neto, Setford, Tierney, White, Zinchenko, Sterling, Butler-Oyedeji, Henry-Francis, Kabia, Nwaneri.

PSG: Donnarumma; Hakimi, Marquinhos, Pacho, Nuno Mendes; Vitinha, Joao Neves, Fabian Ruiz; Doue, Kvaratskhelia, Dembele.

Banka rezervë: Safonov, Tenas, Kimpembe, Goncalo Ramos, Lee, Lucas Hernandez, Mayulu, Barcola, Zaire-Emery, Lucas Beraldo, Mbaye.