Futboll

Lionel Messi ndihet “si një fëmijë” pas “hat-trickut” kundër Bolivisë

Lionel Messi

Lionel Messi thotë se ndihet ende “si një fëmijë” duke luajtur për Argjentinën pas “hat-trickut” në fitoren 6-0 ndaj Bolivisë të martën, shkruan “The New York Times” të mërkurën.

37-vjeçari luajti një rol në pesë nga gjashtë golat e Argjentinës gjatë fitores kualifikuese të Kupës së Botës në “Estadio Mas Monumental” në Buenos Aires, duke dhënë dy asistime përveç tre golave të tij.

Messi e çoi numrin e golave në 112 me fanellën e Argjentinës, që është shifër dukshëm më e vogël se ajo e Cristiano Ronaldos me Portugalinë. Ronaldo ka shënuar 133 gola me Përfaqësuesen portugeze.

“Është vërtet bukur të vish këtu, të ndiesh dashurinë e njerëzve”, tha Messi.

“Kjo më shtyn të kënaqem dhe të jem i lumtur. Pavarësisht moshës sime, kur jam këtu, ndihem si fëmijë, sepse jam rehat me këtë ekip. Për sa kohë që ndihem mirë dhe mund të vazhdoj të paraqitem ashtu siç dua, do të vazhdoj ta shijoj”.

Messi i dha epërsinë Argjentinës pas 19 minutash. Për Messin asistoi Lautaro Marinez.

Kapiteni i Argjentinës më pas u kthye në asistues për Martinezin, që shënoi në portë zbrazët. 

Argjentina shtoi një tjetër gol në pjesën e parë. Julian Alvarez shënoi me asistim të Messit. Golin e katërt e shënoi Thiago Almada përpara se Messi të shtonte golin e pestë dhe të gjashtë për Argjentinën.

Ishte vetëm ndeshja e dyta e Messit për Argjentinën që kur u detyrua të largohej me një lëndim të kyçit të këmbës në finalen e Kupës së Amerikës në korrik. Ai u kthye në klub në shtator dhe ka shënuar pesë gola në gjashtë paraqitje në “Major League Soccer” që nga rikthimi i tij.

Fitorja e së martës mbrëma forcon Argjentinën në krye të grupit kualifikues të Kupës së Botës me 22 pikë nga 10 ndeshje.

Messi kishte thënë në vitin 2022 se Kupa e Botës në Katar do të ishte e fundit për të, por duke folur përpara Kupës së Amerikës 2024, ai nuk e përjashtoi mundësinë për të luajtur në turneun e vitit 2026.

Ai do të jetë 38 vjeç kur të fillojë Botërori i ardhshëm, që do të organizohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe në Kanada. Messi do të mbushë 39 vjeç gjatë turneut 2026.

Argjentina në nëntor luan kundër Paraguait.