Ligue 1

Liga franceze i shtynë ndeshjet e PSG-së e Marseillet

PSG

Liga franceze e futbollit i ka shtyrë ndeshjet ku janë të përfshira Paris Saint-Germaini dhe Marseille. Ndeshjet u shtyn për muajin e ardhshëm  për shkak se të dyja janë ende në garë për të fituar trofe në Evropë.

PSG-ja duhej të udhëtonte te Nice dhe Marseille te Reimsi në kuadër të xhiros së 32-të. Por këto ndeshje do të luhen më 15 maj.

Kështu pati vendosur liga franceze pas takimit të bordit.

PSG-ja dhe Marseille i përmbysën rezultatet e ndeshjeve të para dhe avancuan në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës.

PSG-ja fitoi 4:1 të martën mbrëma në Barcelonë pasi u mposht 3:2 në Paris dhe tani do të luajë kundër Dortmundit në gjysmëfinale.

Ndeshja e parë do të zhvillohet në Gjermani më 1 maj, ndërsa ajo kthyese më 7 maj.

Marseille u mposht 2:1 nga Benfica në duelin e parë por fitoi 1:0 ndaj skuadrës portugeze të enjten mbrëma, e më pas skuadra franceze ishte më e suksesshme në ekzekutimin e penalltive.

Marseille e pret Atalantan më 2 maj dhe udhëton në Bergamo më 9 maj.

Të dyja skuadrat franceze e kanë nga një trofe evropian të fituar.

Marseille e fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 1993 – e vetmja skuadër franceze që e ka një sukses të tillë.

Ndërkohë, PSG-ja e fitoi Kupën e Fituesve të Kupave në vitin 1996.