Lideri i La Ligas së Spanjës, Real Madridi, do të ketë test të vështirë të dielën kur do të jetë nikoqir i Athletic Bilbaos.
Ndeshja Real Madrid – Athletic Bilbao luhet të dielën në orën 21:00 dhe i takon xhiros së 30-të të elitës së futbollit spanjoll.
Reali është i pari me 72 pikë, kurse Barcelona është e dyta me 64 pikë, dy më shumë se Girona e vendit të tretë.
Athletic Bilbao është në vendin e katërt me 56 pikë, një më shumë se Atletico Madridi i vendit të pestë.
Bilbao sivjet është treguar shumë e fortë, madje ka siguruar edhe finalen e Kupës së Mbretit, dhe po lufton për të zënë një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve për edicionin tjetër.
Formën në xhirot e fundit në La Liga e ka gjetur edhe skuadra e Barcelonës që ka 10-të ndeshje rresht pa disfatë.
Në duelin e fundit fituan në derbi 3:0 kundër Atletico Madridit në “Metropolitano”.
Barcelona të shtunën nga ora 21:00 e pret Las Palmasin.
Te skuadra e Realit në këtë ballafaqim pritet të rikthehet Jude Bellingham që ishte i suspenduar për dy ndeshje, por ai bashkë me Fede Valverden, kanë pësuar lëndime në ndeshjet me përfaqësueset.
Në këtë fundjavë, Girona të dielën e pret Real Betisin e vendit të shtatë.
Girona – Real Betis luhet të dielën në orën 16:15.
Xhiroja e 30-të në La Liga mbyllet të hënën me ndeshjen Villarreal – Atletico Madrid.