Në Kosovë janë bërë të zakonshme ofendimet dhe etiketimet me fjalët më të rënda kur një lojtar zgjedh të mos vazhdojë të luajë për Kosovën e të paraqitet për Shqipërinë. Rasti i fundit është ai i Etnik Brrutit, futbollistit 21-vjeçar të Malishevës. Brruti u quajt edhe “tradhtar” për vendimin që mori këtë javë. Disa prej atyre që e ofenduan mesfushorin e quajnë veten analistë e madje edhe gazetarë.
Futbollisti i talentuar nuk ka dashur të komentojë vendimin për ta përfaqësuar Shqipërinë në të ardhmen.
Heshtjen e kanë zgjedhur edhe në Federatën Shqiptare të Futbollit e po ashtu edhe në Federatën e Futbollit të Kosovës. Dy institucionet e futbollit edhe në të kaluarën kanë zgjedhur heshtjen kur ka pasur çështje që kanë nxitur reagime.
Me reagim të dielën ka dalë babai i Etnikut, Besnik Brruti.
“Tradhtarë janë të gjithë ata që i thonë tradhti mbrojtjes së flamurit të Adem Jasharit, Zahirit, Agimit e të gjithë dëshmorëve të rënë për liri! Biri im ka marrë një vendim që buron nga bindjet e tij dhe dashuria për kombin. Ai nuk e ka refuzuar Kosovën, por ka zgjedhur të luajë për kombëtaren shqiptare, për flamurin me të cilin i kemi mbështjellë dëshmorët tanë. Kjo nuk është tradhti, por besnikëri ndaj idealit për të cilin kemi luftuar. Të gjithë ata që sot e gjykojnë duhet ta dinë se askush nuk mund të na japë leksione për atdhedashuri dhe sakrificë për Kosovën. Askush nuk ka të drejtë të vërë në dyshim vendimin e Brrutit, i cili me zemër dhe shpirt po ndjek rrugën e tij, duke mbrojtur vlerat kombëtare. Për ne Kosova dhe Shqipëria nuk ndahen, sepse jemi një komb, një gjak dhe një histori!”, ka shkruar ai në Facebook.
21-vjeçari menjëherë pas kompletimit të dokumentacionit pritet që ta veshë fanellën “kuqezi”.
Brruti pritet të ftohet te Shqipëria A për ndeshjet ndaj Anglisë dhe Andorrës, që u takojnë kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Ndeshja Anglia – Shqipëria luhet më 21 mars dhe i takon Grupit K. Në këtë grup janë edhe Letonia dhe Serbia.
Në mbrojtje futbollistit i ka dalë trajneri i futbollit, Bylbyl Sokoli. Ai nuk e vlerëson tradhti nëse një lojtar vendos ta përfaqësojë Shqipërinë.
“Asnjë futbollist nuk duhet të gjykohet në përzgjedhjen e tij, sidomos kur vendos të luajë për Shqipërinë apo Kosovën. Këto dy zgjedhje për mua janë të njëjta dhe unë nuk bëj dallimin. Unë jam kundër të përzgjidhet ndonjë kombëtare tjetër. Por nuk duhet të gjykohet që zgjedh Shqipërinë apo Kosovën”, ka thënë Sokoli për KOHËN të dielën.
Brruti ka luajtur për grupmoshat U19 e U21 të Kosovës. Madje ishte kapiten i Shpresave të Kosovës në dy ndeshjet e fundit miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut. Në janar ishte në një grumbullim që selektori i Kosovës A, Franco Foda, mbajti me futbollistët me potencialë që të bashkohen me përfaqësuese.
Brruti kishte folur në ditën e parë të grumbullimit. Ai kishte thënë se “është privilegj i madh për mua dhe secilin lojtar ta përfaqësojë Kosovën”.
Kishte shtuar se ëndrra e tij ishte të luante edhe për Kosovën A.
“Çdonjëri po e jep maksimumin në stërvitje. Nuk ka problem që është vetëm kamp stërvitor, pasi secili përgatitet të jetë i gatshëm për ndeshje kualifikuese. Për momentin jam kapiten te Kombëtarja U21 dhe besoj që në një të ardhme shumë të shpejtë do të arrij edhe në Kombëtaren A të Kosovës”, pati theksuar Brruti vetëm pak javë më parë.
Brruti nuk është lojtari i vetëm që është larguar nga Kosova.
Nga Kosova U21 si kapiten në të kaluarën në drejtim të Shqipërisë ishte larguar edhe Ardian Ismajli. Në drejtim të njëjtë lëvizi edhe Mirlind Daku, kurse Edvin Kurtulush iu bashkua Suedisë.
Më pas nisi një valë e re e largimeve. Arbër Hoxha, Arbnor Muja ishin dyshja e radhës për të cilët u diskutua shumë në Kosovë. Hoxha dhe Daku kanë shfaqur nivel më të lartë dhe ishin edhe pjesë e Evropianit të vitit të kaluar në Gjermani me Shqipërinë. Përveç tyre, nga Kosova janë larguar për arsye të ndryshme edhe Adrion Pajaziti, Medon Berisha e Dion Berisha. Edhe këta janë vlerësuar me potencial për Kosovën A, por vendosën të largoheshin. Disa të tjerë nuk kanë pranuar të grumbullohen me Kosovën për shkak të pakënaqësive, ndonëse ftesën e kanë pasur.
Deri më tani FFK-ja nuk ka pranuar asnjëherë se ka përgjegjësi për ikjen e shumë e shumë lojtarëve.