Bayern Leverkuseni është në rrugë që të shkruajë edhe një histori të re, në edicionin që po vlerësohet i jashtëzakonshëm për klubin nga Bundesliga e Gjermanisë.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Xabi Alonso e mposhti Romën 2:0 në “Stadio Olimpico” të enjten mbrëma, për t’iu afruar edhe më shumë finales së Ligës së Evropës. Ishte ndeshja e parë gjysmëfinale.
Kjo fitore ka shënuar 47 ndeshje qëkur klubi për herë të fundit pësoi humbje në ndonjërën nga garat ku u paraqit e paraqitet.
Humbja e fundit e Leverkusenit ishte 3:0 nga Bochumi, në ndeshjen e fundit të edicionit 2022/23 të kampionatit gjerman.
Pasi tashmë e ka fituar titullin e kampionit në Bundesligë për herën e parë në histori, Leverkuseni do të luajë kundër Frankfurtit të dielën, skuadrës që po synon garat evropiane për edicionin tjetër.
Nëse e vazhdon ecurinë pa humbje në këtë vikend, ndeshja kthyese kundër Romës do të vendoste skenën për ndeshjen historike.
Duke e shmangur disfatën në “BayArena”, kjo jo vetëm që do t’ia siguronte Leverkusenit finalen në Ligën e Evropës, por do të bënte që skuadra e Alonsos ta kalonte serinë e Benficas si skuadra me më së shumti ndeshje pa humbje në të gjitha garat në futbollin evropian qëkur janë prezantuar garat e UEFA-s.
E udhëhequr nga legjendari Eusebio, Benfica kishte 48 ndeshje pa humbje ndërmjet viteve 1963-1965.
Rangersi legjendar i 92-s është i pesti në këtë statistikë, pasi e kishte fituar “tripletën” vendore në serinë e 44 ndeshjeve pa humbje dhe kishte arritur në gjysmëfinale të Kupës Evropiane.
Një tjetër skuadër britanike ka hyrë në top-dhjetëshe të kësaj statistike së fundmi.
Klubi uellsian, The New Saints, shkoi në 41 ndeshje pa disfatë, ndërsa arriti në finale të “Scottish Challenge Cup” si ekip i ftuar nga zona jashtë Skocisë.
Por, kjo skuadër u mposht nga Airdrieonians muajin e kaluar.
Leverkuseni tashmë ka vendosur rekord për ndeshje pa humbje, sa u takon top pesë ligave evropiane. Por skuadra e Alonsos vazhdon të shkruajë histori.
Dhjetë skuadrat me ecurinë më të mirë pa humbje në futbollin evropian
48 – Benfica (1963 – 1965)
47 – Bayer Leverkusen (2023 – )
45 – Dinamo Zagreb (2014 – 2015)
45 – Rijeka (2016 – 2017)
44 – Rangers (1992 – 1993)
43 – Juventus (2011 – 2012)
42 – Milan (1991 – 1992)
42 – Ajax (1995 – 1996)
41 – The New Saints (2023 – 2024)
40 – Fiorentina (1955 – 1956)