Bayern Muncheni e ka fituar një betejë të rëndësishme me Bayer Leverkusenin, kampioni në fuqi i Gjermanisë. Ekipi bavarez e eliminoi Leverkusenin në Champions, ndërsa është në avantazh solid edhe në garën për titull të kampionit.
Pas xhiros së 25-të, Bayerni është lider i Bundesligës me 61 pikë. Leverkuseni është i dyti me 53 pikë. Deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe nëntë xhiro.
Xhiroja e 26-të zhvillohet këtë fundjavë.
Bayerni të shtunën prej orës 15:30 është mysafir i Union Berlinit. Nuk pritet të jetë ndeshje e lehtë, duke ditur që Unioni është vetëm i 14-ti me 26 pikë dhe secili gabim mund t’i kushtojë me rënie në zonën e rrezikshme.
Ndërkohë Leverkuseni do të mundohet të reagojë në Bundesligë pas eliminimit nga gara evropiane. Skuadra e Granit Xhakës të dielën nga ora 19:30 luan në udhëtim ndaj Stuttgartit. Stuttgarti është i teti me 37 pikë dhe kërkon pikë të reja për të rritur gjasat që të dalë në kupa evropiane edicionin e ardhshëm.
Leipzigu të shtunën nga ora 18:30 e pret Borussia Dortmundin në një tjetër ndeshje interesante të kësaj xhiroje. Leipzigu është i gjashti me 39 pikë, ndërsa Dortmundi i dhjeti me 35 pikë.