Bayer Leverkuseni është vetëm tri pikë larg titullit të kampionit në Bundesligën gjermane, pas disfatës që e pësoi Bayern Munichu.
Leverkuseni të shtunën nuk gaboi në udhëtim tek Union Berlini duke fituar 1:0, në ndeshjen e xhiros së 28-të të elitës gjermane të futbollit.
Ishte fitorja e 36-të në edicionin aktual në të gjitha garat për skuadrën e drejtuar nga Xabi Alonso, e me Granit Xhakën lider në mesfushë.
Ndërkohë, ka ecuri prej 41 ndeshjeve pa disfatë dhe është skuadra e vetme në top-pesë ligat evropiane pa humbje.
Robin Gosens u përjashtua nga loja te vendësit në minutën e tretë të kohës shtesë, ndërsa nga penalltia realizoi Florian Wirtz, tre minuta më pas.
Granit Xhaka e kompletoi edhe këtë ballafaqim.
Leverkuseni lider ka 76 pikë, 16-të më shumë se Bayern Munichu i vendit të dytë.
Union Berlini ka 29 pikë dhe po lufton për mbetje në Bundesligë.