Bayer Leverkuseni tashmë i ka plot 39 ndeshje rresht pa humbje. Titulli i parë në Bundesligë tashmë duket formalitet. Dhe titulli mund të sigurohet që në muajin prill.
Leverkuseni në fakt ka harruar si është të humbet. Në Ligën e Evropës apo në Bundesligë, skuadra që drejtohet nga Xabi Alonso gjithnjë gjen mënyrën për t’u kthyer dhe për të shënuar fitore në rrugën drejt titullit të shumëpritur.
Leverkuseni pesë herë ishte nënkampion i Gjermanisë, por kampion asnjëherë. Është mposhtur edhe në finale të Ligës së Kampionëve në vitin 2002, ndërsa Kupën e Gjermanisë e ka fituar vetëm në vitin 1993. Prej atëherë ka humbur tri finale.
Me Alonson në stol dhe Granit Xhakën si lider të mesfushës, Leverkuseni tani mund të bëhet gati për festën e kampionit.
Fitorja 2:1 ndaj Hoffenheimit të shtunën mbrëma ishte tjetër vepër madhore. Skuadra sërish kaloi një situatë shumë të komplikuar. Ishte duke pësuar 1:0 deri në minutën e 88-të.
Maximilian Beier kishte kaluar në epërsi Hoffenheimin në minutën e 33-të. Robert Andrich barazoi rezultatin në 1:1 në minutën e 88-të, ndërsa golin e fitores e shënoi Patrick Schick në minutën e 91-të.
Më pas Bayerni pësoi 2:0 në derbin e madh me Dortmundin. Tani Leverkuseni i ka 13 pikë më shumë se Bayerni në krye të tabelës në kampionatin gjerman.
Janë edhe shtatë xhiro deri në fund të edicionit në Bundesligë. Nëse Bayerni i fiton të gjitha ndeshjet, Leverkuseni mund ta siguroi titullin në ditët e fundit të prillit. Skuadrës së Xhakës i duhen edhe nëntë pikë.
Bayer Leverkuseni mund ta siguroi titullin në ndeshjen në Dortmund, më 21 prill. Dortmundi ka luftuar shumë për titull në vitet e fundit, por ka dështuar vazhdimisht përballë Bayernit.
Por fillimisht Leverkuseni duhet ta kryejë detyrën ndaj Union Berlinit më 6 prill dhe Werder Bremenit më 14 prill. Nëse Bayerni lëshon pikë të tjera, titulli mund të vendoset në ndeshjen ndaj Bremenit.
Skuadra e drejtuar nga Alonso ka ndeshje të rëndësishme në Kupën e Gjermanisë dhe në Ligën e Evropës. Edhe në këto gara synon suksesin.
22-vjet pasi skuadra dështoi në tri garat e mëdha, ishte nënkampione në Bundesligë dhe finaliste në Champions dhe në Kupë, tifozët e Leverkusenit po ëndërrojnë për tre trofe të mëdhenj këtë edicion.
Te Bayerni tashmë janë dorëzuar. I pyetur nëse Bayerni është dorëzuar në garën për titull, trajneri Thomas Tuchel, tha: “Po, natyrisht”.
Ai e dha këtë deklaratë pas humbjes nga Dortmundi.
“Urime Leverkusenit”, ka vazhduar Tucheli.