Skuadra e Bayern Munchenit ka njoftuar se mbrojtësi francez, Sacha Boey, ka pësuar një lëndim të ri.
Boey e lëndoi kyçin e këmbës së majtë të hënën gjatë stërvitjes.
“Bayerni do të jetë pa Sacha Boeyn për momentin pasi mbrojtësi pësoi një dëmtim të kyçit të këmbës së majtë në stërvitjen e së hënës”, ka shkruar të martën në faqen zyrtare gjiganti gjerman.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Vincent Kompany ndër të tjera theksoi se Joao Palhinha dhe Serge Gnabry kanë tejkaluar lëndimet dhe janë kthyer në stërvitje.
Të dy futbollistët janë të gatshëm për ndeshje.
Për 24-vjeçarin Boey ky është lëndimi i dytë që e pëson këtë edicion.
Boey u transferua te Bayerni në muajin janar nga Galatasaray për 30 milionë euro.
Francezi këtë edicion ka luajtur në tetë ndeshje në të gjitha garat.