Futboll

Lëndimi i Gjimshitit nuk është shumë serioz

Berat Gjimshiti

Berat Gjimshiti ka stërvitur në mënyrë individuale të mërkurën te skuadra e Atalantas, që po bëhet gati për duelin e së premtes ndaj Lecces. 

Atalanta – Lecce luhet nga ora 20:45 dhe i takon xhiros së 34-t të Serie A të Italisë. 
Atalanta është në pozitën e tretë me 64 pikë, shtatë më pak se Interi e Napoli që janë në dy pozitat e para. 

Atalanta është në ecuri prej dy fitoreve rresht, pas triumfit ndaj Bolognas dhe Milanit. 
Milanin e mposhti me rezultatin 1:0 në fundjavë, ndërsa kapiteni i Shqipërisë, 32-vjeçari Gjimshiti, luajti deri në minutën e 59-të. 

Ai pësoi lëndim në nyjën e këmbës. 

“Stërvitje individuale në fushë për Berat Gjimshitin. Mbrojtësi i Shqipërisë e la fushën më herët në duelin ndaj Milanit për shkak të lëndimit në nyjën e këmbës. Gjendja fizike e tij do të vlerësohet të enjten, por nëse nuk ia del të luajë në atë ballafaqim, nuk rrezikon që ta humb gjithë kampionatin”, ka shkruar “Tuttomercatoweb” të mërkurën. 

Gjimshiti ka 43 paraqitje në edicionin aktual në të gjitha garat me Atalantan, ndërsa ka kontribuuar me dy gola e dy asistime.