Futboll

Lëndimi i Alissonit sjellë telashe te Liverpooli

Alisson Becker

Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka thënë se klubi është duke e përcjellë me kujdes lëndimin e portierit Alisson Becker. 

Portieri brazilian pësoi lëndim muskulor në fitoren e 5 tetorit në udhëtim te Crystal Palace. 

Ai pritet të jetë jashtë fushës deri në mesin e muajit nëntor. 

Alissoni tashmë ka humbur dy ndeshje në edicionin aktual për shkak të një lëndimi tjetër dhe mungoi afro dy muaj në sezonin e kaluar, nga shkurti deri në prill. 

“Është diçka e pazakontë për portierë”, ka thënë Slot. “Por për mua jo sepse edhe kur isha te Feyenoordi, portieri Justin Bijloë kishte lëndime muskulore po ashtu. Këta dy janë raste ndryshe nga të tjerët. Do të shohim në vazhdim se cila mund të jetë arsyeja e këtyre lëndimeve”, ka thënë Slot të premten, shkruan “BBC”. 

32-vjeçari Alisson do të mungojë ndaj Chelseat të dielën, ndërsa do t’i humb edhe ndeshjet ndaj Arsenalit, Brightonit dhe Aston Villas në ligë. 

Në “Champions” nuk do të jetë i pranishëm për duelet ndaj Leipzigut dhe Leverkusenit. 

Ai do të mungojë edhe në “Carabao Cup” në ballafaqimin ndaj Brightonit. 

Në vend të tij pritet të paraqitet portieri Caoimhin Kelleher.