Futboll

Legjenda rumune për Zhegrovën: Ato që bënë në fushë nuk do të thonë asgjë në futboll

Edon Zhegrova

FOTO: sportpictures.eu

Edon Zhegrova mori shpesh duartrokitje nga tifozët në “Fadil Vokrri” në fillim të ndeshjes me Rumaninë. Kosova në fund pësoi 3:0 në ndeshjen e së premtes  dhe Zhegrova, njëjtë si tifozët u largua i dëshpëruar nga fusha. Veprimet e tij teknike nuk është se bënë ndonjë ndryshim në ndeshje.
Ndonëse po kalon formë të lartë te Lille në Francë, te Kosova, sulmuesi i krahut nuk paraqiti ndonjë rrezik për kundërshtarin.

Për paraqitjen e Zhegrovës është folur edhe në një emision të njohur sportiv në Rumani.
Legjenda rumune, Adrian Mutu, është shprehur i dëshpëruar me zhvillimin e Zhegrovës, shkruan “Fanatik.ro”. Sipas ish-sulmuesit të Interit, Zhegrova është “asgjësuar” nga Nicosur Bancu.

“Ndoshta nuk ishte dita më e mirë e tyre edhe për shkakun tonë. Pasi ne luajtëm atë që është dashur të luajmë. Ashtu si tha selektori, ne i bëmë të luajmë ashtu si ne kemi dashur, jo si ata kanë dashur. Nuk më duket kushedi çka (Zhegrova. Pos që i bën ato gjëra... Bancu e shkatërroi. Ai nuk lëvizi. Ai e lejoi të bënte ato gjëra, që nuk do të thonë asgjë në futboll. Kishte një pasqyrë pranë tij, sa bukur e godas topin me thembër”, ka thënë Mutu.

Ish-futbollisti i njohur rumun, Mutu, që ka punuar edhe si trajner, ka thënë se lojtari i krahut i Rumanisë ishte dukshëm më i mirë se Zhegrova.

“Man ishte konkret dhe tregoi se çka duhet të bëj lojtari i krahut. Për momentin Dennis Man është një shkallë mbi Zhegrovën”, ka shtuar Mutu.

Zhegrova ka shkëlqyer gjatë verës te Lille. Ndër të tjera shënoi gol edhe ndaj PSG-së dhe udhëhoqi skuadrën drejt Ligës së Kampionëve.

Edhe Valeriu Rachita,  ish-futbollist i shumë skuadrave rumune, ka folur për Zhegrovën.

“E kalonte topin mes këmbëve, e kthente, por asgjë nga kjo”, ka thënë Rachita.

Zhegrova përmes një postimi të publikuar të shtunën ka thënë se Kosova do të kthehet më e fortë.

“Ne do të kthehemi më të fortë. Faleminderit gjithë juve që na përkrahni”, ka shkruar 25-vjeçari.