Futboll

Legjenda Platini thotë se nderi i tij është kthyer pas lirimit nga akuzat

Michel Platini

Legjenda franceze e futbollit, Michel Platini, ka thënë të martën se është shumë i lumtur dhe se ndien që nderi i tij është kthyer, pasi një gjykatë zvicerane e shpalli të pafajshëm për mashtrim.

69-vjeçari Platini dhe ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter (89), u liruan nga akuzat për korrupsion. Vendimi erdhi dy vjet e gjysmë pasi ish-presidenti i UEFA-s, Platini, dhe Blatteri u liruan për herë të parë nga këto akuza.

“Përndjekja e FIFA-s dhe e disa prokurorëve federalë zvicerane që ka zgjatur dhjetë vjet, përfundon këtu”, ka thënë Platini. “Tani ka përfunduar plotësisht. Për mua sot është kthyer nderi dhe jam shumë i lumtur për këtë”, ka shtuar Platini, që ka folur para reporterëve të shumtë.

Platini, kapiteni dhe selektori i dikurshëm i Francës, ka thënë se ka pranuar 10 mijë mesazhe përkrahjeje dhe se do të festojë vendimin duke shkuar në restoran. Platini dhe Blatter, dikur figurat më të fuqishme në futboll, u liruan nga akuzat për mashtrim në Dhomën e Jashtëzakonshme të Apelit të Gjykatës Penale të Zvicrës, në qytetin Muttenz, në afërsi të Baselit. Seanca u zhvillua pasi prokurorët federalë zviceranë apeluan kundër lirimit të tyre të vitit 2022 në një gjykatë të shkallës më të ulët.

Të dy kanë mohuar akuzën që lidhej me një pagesë prej 2 milionë franga zvicerane, të autorizuar nga Blatteri për Platinin në vitin 2011.

Gjykata tha se kishte dyshime në lidhje me pretendimin e prokurorisë se pagesa për Platinin ishte mashtruese. Aktakuza e vitit 2022 kishte akuzuar Blatterin dhe Platinin se kishin mashtruar stafin e FIFA-s në vitin 2010 dhe 2011 lidhur me një detyrim që FIFA të paguante Platinin.

“Ata pretenduan në mënyrë të rreme se FIFA i detyrohej Platinit, apo që Platini kishte të drejtë për shumën prej 2 milionë franga për punë këshillimore. Ky mashtrim u arrit përmes pretendimeve të përsëritura e të pavërteta të bëra nga dy të akuzuarit”, shkruante në aktakuzë.

Por gjykata i liroi ata duke thënë se një marrëveshje gojore për pagesë nuk mund të përjashtohej. Platini kishte argumentuar se pagesa ishte shtyrë pjesërisht deri në vitin 2011 pasi FIFA-s i mungonin fonde për të bërë pagesën më herët.

Bëhet fjalë për një pagesë për punën që Platini e ka bërë për Blatterin nga viti 1992 e deri në vitin 2002.

Përvoja e Platinit si futbollist dhe trajner i nivelit të lartë arsyetonte shumën e pagesës, tha gjykata. Ajo ndoqi parimin ligjor që në rast dyshimi të favorizohet i akuzuari.

Blatter dhe Platini ishin suspenduar nga futbolli në vitin 2015 me vendim të FIFA-s, për tetë vjet. Por dënimi është reduktuar ndërkohë.

Platini mendon se rasti kishte për qëllim të pengonte atë të bëhej president i FIFA-s. Ai thotë se tani është shumë i vjetër që të kthehet në futboll. Platini pritej ta pasonte Blatterin në krye të FIFA-s.

Paratë që ishin konfiskuar dhe mbajtur nga autoritetet zvicerane, tani mund t’i kthehen ikonës franceze. Prokurorët kishin kërkuar 20 muaj burg me kusht për Blatterin dhe Platinin. Prokuroria ka thënë se do ta shqyrtojë  vendimin para se të vendosë nëse do të apelojë sërish në Gjykatën Federale Zvicerane.