Futboll

Legjenda e Barcelonës i del në mbrojtje yllit të Realit

Kylian Mbappe

Ish-ylli i Barcelonës, Rivaldo, ka mbështetur të enjten yllin e Real Madridit, Kylian Mbappe. Mbështetja e legjendës së Barcelonës vjen pas kritikave të vazhdueshme ndaj francezit, që nga transferimi në Spanjë.
Mbappe bëri bujë me transferimin te Real Madridi gjatë verës. Ekipit madrilen iu bashkua pas skadimit të kontratës me kampionin e Ligue 1, Paris Saint-Germanit. 

Reprezentuesi francez që atëherë ka shënuar tetë gola dhe ka kontribuar me dy asistime në 13 paraqitje në të gjitha garat. Në Spanjë vlerësojnë se Mbappe nuk ka arsyetuar ende pritshmëritë.

Por, Rivaldo të enjten në një intervistë për gazetën spanjolle “Marca”, në prag të “El-Clasicos së parë të sezonit, ka thënë se Mbappe do të shkruajë histori te Real Madridi.

“Ndonjëherë duhet pak kohë për t’u përshtatur. Por Kylian është një lojtar i madh dhe ai me siguri do të shkruajë histori në Madrid. Ai është shumë i mirë dhe tashmë ka shënuar disa gola. Ai nuk është ende Mbappe që do të donim të gjithë tifozët, por duhet të keni parasysh se jemi në fillim dhe ai sapo ka ardhur. Ai do të jetë një lojtar shumë i rëndësishëm dhe do të hyjë në historinë e Madridit”, ka thënë Rivaldo.

“El-Classico” luhet të shtunën në Madrid, ndërsa i takon xhiros së 11-të të La Ligas spanjolle. Ndeshja nis në orën 21:00.

Barcelona është lidere me 27 pikë, kurse Reali në vendin e dytë me 24 pikë.