Futboll

Largimi i personalitetit që hapi dyert e mëdha për sportin e Kosovës

Majlinda Kelmendi

Në takimin e parë nuk ia zgjati dorën. Por ndërkohë “zgjati dorën” për dhjetëra mijëra sportistët e Kosovës.

Besim Hasani, presidenti shumëvjeçar i Komitetit Olimpik të Kosovës, e vlerëson vendimtar rolin e Thomas Bachut në ndërkombëtarizimin e sportit të Kosovës. Gjermani Bach është president i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që nga viti 2013. Të enjten zgjedhet pasardhësi i tij, kurse 71-vjeçari do të qëndrojë në zyrë deri më 23 qershor. Por periudha e tij në krye të organizatës kryesore sportive në botë thuajse përfundon të enjten.

12 vjetët e fundit ishin sfidues për sportin botëror e rrjedhimisht edhe për Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Bach është përballur me sfida të shumta, por vlerësohet se ia doli t’i kalonte me sukses.

Prej vendimeve të para të IOC-së me Thomas Bachun në krye, ishte ai për njohjen e Komitetit Olimpik të Kosovës. Njohja e përkohshme u bë më 22 tetor 2014, ndërsa njohja e plotë më 9 dhjetor 2014.

Kampionati Botëror 2026

Njohja në IOC mundësoi që Kosova të pranohet në të gjitha asociacionet sportive ndërkombëtare. Para njohjes nga IOC-ja, pak federata kosovare ishin pjesë e federatave përkatëse ndërkombëtare. Më e rëndësishmja, sportistët kosovarë filluan me paraqitje në të gjitha garat ndërkombëtare. Ndër të tjera edhe në Lojërat Olimpike Verore, ku tashmë i kanë pesë medalje, prej tyre tri të arta.

“Thomas Bach mbetet figura qëndrore për ndërkombëtarizimin e sportit të Kosovës, sidomos për njohjen e Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar”, ka thënë të mërkurën për KOHËN Besim Hasani, që ishte në krye të KOK-ut nga viti 1996 e deri në vitin 2021. Ai tani është president nderi i Komitetit Olimpik të Kosovës.

Ishte viti 2012, kur Hasani mori sinjalin se Bach do të jetë personaliteti që do të mundësojë njohjen e KOK-ut.

“Ishte konferenca ‘Paqja dhe Sporti’, që po mbahej në selinë e OKB-së. Ishim së bashku me Memli Krasniqin. Kishim një takim të shkurtër me Jacques Rogge, që ishte president. Bach atëbotë ishte nënpresident dhe në bazë të informatave që kisha ishte kandidat kryesor për president të ardhshëm. E kisha takuar edhe më herët dhe në lëvizje e sipër i thashë se ‘a duhet të aplikojmë menjëherë?’. Më është përgjigjur me ‘mos lëviz njëherë’ dhe këtë e konsideroj si sinjalin që Bach ishte i duhuri për të bërë njohjen e Kosovës. Dhe kështu ndodhi, dy vjet më pas Komiteti Olimpik i Kosovës u njoh nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Pa Thomas Bach kjo nuk do të ndodhte”, thotë Hasani.

Ai thotë se për Bachun me bashkëpunëtorë më lehtë do të ishte të refuzonin njohjen e Kosovës se të vendosnin për njohje.

“Është nevojitur mirëkuptim për gjendjen e sportistëve të Kosovës, për funksionimin e tyre në izolim. Dhe këtë mirëkuptim e ka pasur presidenti Thomas Bach. Qartë se shumë më i lehtë do të ishte refuzimi. Për pranim duhej që shteti të jetë i njohur nga Komuniteti Ndërkombëtar, që të gjithë e interpretonin si njohje nga OKB-ja. Rrjedhimisht më i lehtë do të ishte refuzimi. Pa vullnetin e duhur, Kosova do të mund të ishte ende jashtë familjes olimpike. Prandaj mendoj se Kosova i ka borxh këtij njeriu. Duhet të mendojmë diçka serioze për ta nderuar personalitetin e Bachut. Ia kemi borxh. Për shembull me emërimin e ndonjë objekti sportiv, apo ndonjë mënyrë të përshtatshme nderimi”, ka shtuar Besim Hasani.

Ai ka pasur dhjetëra takime me Bachun, që Kosovën e ka vizituar dy herë. Takimi i parë i Hasanit me gjermanin Bach nuk ishte shumë i këndshëm.

“Ishte duke më shtrirë dorën, ndërsa unë iu prezentova si president i Komitetit Olimpik të Kosovës. E ngriti gishtin lart dhe më tha se vetëm pasi të njihemi nga IOC-ja kam të drejtë të prezantohem si president. Nuk më shtriu dorën, por ndërkohë shtriu dorën për dy milionë shqiptarë të Kosovës dhe kjo ka rëndësi. Natyrisht, takimet e tjera ishin shumë miqësore. Ka ndodhur që të tjerët i ka përshëndetur vetëm me lëvizje koke, e ndërkohë kur vinte radha tek unë, më ka përqafuar”, thotë Hasani.

Lobim për pranim ndërkombëtar bënin edhe shumica e federatave sportive kosovare, njëjtë si institucionet shtetërore, ndërsa presioni ndaj IOC-së konsiderohet se u rrit me suksesin e sportistëve kosovarë, sidomos të xhudistëve. Majlinda Kelmendi ishte figurë kryesore në këtë drejtim. Ajo kishte fituar titullin e botës në vitin 2013, ndërsa suksese po kishte edhe Nora Gjakova e xhudistë të tjerë. Dhe IOC-ja ndiente presionin për të bërë një zgjidhje për sportistët e Kosovës.

Por natyrisht pa vullnetin e Bachut vështirë se gjërat do të lëviznin. Në vizitën e parë në Kosovë kishte premtuar se do të ndante medaljen për Kosovën, nëse një e tillë do të fitohej në Lojërat Olimpike “Rio 2016”. Kështu edhe ndodhi. Bach e dorëzoi të artën për Majlinda Kelmendin.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, po ashtu çmon kontributin e Bachut.

“Lëvizja olimpike në Kosovë do të jetë përherë mirënjohëse për kontributin madhor të presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, dhënë sportit të Kosovës. Me vizionin dhe përkushtimin e tij ndaj parimeve të barazisë dhe përfshirjes në sport, ai luajti rol kyç në njohjen e KOK-ut nga IOC në dhjetorin e vitit 2014, duke hapur një kapitull të ri në historinë tonë olimpike. Ky vendim historik bëri realitet ëndrrat e shumë gjeneratave të sportistëve tanë, të cilët për dekada kishin ëndërruar të garonin nën flamurin e Kosovës në ngjarjet më të mëdha sportive globale. Gjatë vizitës së bërë vendit tonë në dhjetorin e vitit të kaluar, me rastin e 10-vjetorit të njohjes së KOK-ut nga IOC, ai deklaroi se Kosova është një nga storiet e suksesshme të udhëheqjes së lëvizjes olimpike në botë, sepse sportistët tanë patën mundësinë të tregonin talentin, përkushtimin dhe shpirtin e tyre garues në Lojërat Olimpike, duke dëshmuar se Kosova është një vend i vogël me një zemër të madhe sportive”, ka thënë Krasniqi për KOHËN.

Pasardhësi i Thomas Bachut do të zgjidhet në Costa Navarino të Greqisë. Juan Antonio Samaranch Junior, Sebastian Coe dhe Kirsty Coventry janë kandidatët kryesorë për të zëvendësuar Bachun. Secili prej tyre do të jetë historik. Samaranchi do ta pasonte babain e tij me të njëjtin emër si president. Coe do të ishte presidenti i parë britanik, ndërsa Coventry e Zimbabvesë, pos që do të ishte më e reja me 41 vjet, do të ishte presidentja e parë e IOC-së dhe e para nga Afrika.

Janë edhe katër kandidatë të tjerë për postin e presidentit, por që vlerësohen me gjasa më të vogla. Befasitë megjithatë nuk përjashtohen. Votimi bëhet me dyer të mbyllura dhe të gjithë anëtarët e IOC-së, që zgjedhin presidentin, janë të detyruar që telefonat t’i lënë jashtë sallës. Gara vlerësohet shumë e fortë.  

Në aspektin financiar, IOC-ja vlerësohet stabile. Të hyrat, sidomos nga Lojërat Olimpike Verore janë shumë të mëdha. Por situata gjeopolitike nuk do të jetë e lehtë për presidentin e ri. Lojërat e ardhshme Verore mbahen në Los Angeles në vitin 2028 dhe një përballje me Donald Trumpin pritet. Duhet të bëhet zgjidhje edhe për sportistët e Rusisë, ndërsa ka edhe çështje tjera të ndjeshme, si ajo për gjininë e sportistëve. Sfida me mbajtjen e boksit në programin olimpik po kalohet në periudhën e Bachut, ndonëse nuk përjashtohen ndërlikime.

Raportohet se përkrahjen e Bachut e ka Coventry. Ajo është e njohur si ish-notare shumë e suksesshme.

Janë 109 anëtarë të IOC-së që vendosin për presidentin e ri. Pra jo komitetet olimpike kombëtare apo federatat sportive ndërkombëtare, por vetëm anëtarët e IOC-së. Bëhet fjalë për personalitete të rëndësishme, me ndikim në sportin ndërkombëtar.

Bach ka thënë se largohet i përmbushur, i bindur se ka bërë më të mirën. Vendimi i 2014-s mund të mos jetë më i rëndësishmi për sportin ndërkombëtar, por për Kosovën mbetet moment historik.