Lojtarët shpresojnë që ta fitojnë “Topin e Artë” pas gjithë asaj që kanë bërë.
Të nominuarit për çmimin e lojtarit më të mirë në botë do të mësohen më 4 shtator. Edicioni 2023-24 dhe turnetë madhorë të verës do të jenë faktorë që do të merren parasysh.
Pasi dyshja e Real Madridit, Vinicius Jr. dhe Jude Bellingham, kanë dështuar t’i fitojnë turnetë kontinentalë me Brazilin dhe Anglinë respektivisht, ka bërë që dyert për “Topin e Artë” të hapen edhe për futbollistë të tjerë, ka shkruar BBC të enjten.
Mediumi i madh anglez ka përzgjedhur gjashtë futbollistë, ku njëri prej tyre ka gjasa për ta fituar çmimin prestigjioz më 28 tetor në Paris.
Vinicius Jr (Real Madrid, Brazil)
24-vjeçari Vinicius Jr. ka luajtur 48 ndeshje, ka shënuar 26 gola dhe ka dhuruar 11 asistime. E fitoi La Ligan, Ligën e Kampionëve dhe Superkupën e Spanjës.
Hera e fundit kur një brazilian e ka fituar “Topin e Artë” ishte Kaka në vitin 2007. Që nga ajo kohë, vetëm Neymari arriti të futej në top-treshe.
Rodri (Manchester City, Spanja)
Rodri ka zhvilluar 63 ndeshje, ka shënuar 12 gola dhe ka kontribuuar me 14 asistime. Fitoi trofe po ashtu, Premier Leaguen, Superkupën e UEFA-s, Kupën e Botës për Klube dhe Kampionatin Evropian 2024.
Mesfushori 28-vjeçar e ka humbur vetëm një ndeshje në gjithë sezonin me klubin dhe shtetin e tij, pa i llogaritur penalltitë. U mposht në finale të Kupës FA nga Manchester Unitedi.
Në finalen e “Euro 2024” ndaj Anglisë u zëvendësua në fillim të pjesës së dytë shkaku i lëndimit, por ka bërë mjaftueshëm për të qenë lojtari më i mirë i turneut.
Asnjë lojtar i Manchester Cityt nuk e ka fituar “Topin e Artë”.
Jude Bellingham (Real Madrid, Anglia)
Jude Bellingham luajti 54 ndeshje, shënoi 27 gola dhe asistoi 16 herë. Ka fituar La Ligan, Ligën e Kampionëve dhe Superkupën e Spanjës.
Mesfushori i Anglisë pati paraqitje mbresëlënëse me Real Madridin në debutim pas transferimit nga Borussia Dortmundi.
21-vjeçari momentin më të mirë në “Euro 2024” e pati kur shënoi ndaj Sllovakisë me gërshërë në minutat shtesë, në një të tetën e finales ndaj Sllovakisë. Më pas, Anglia avancoi deri në finale të Evropianit kur u mposht nga Spanja, 2:1.
Ai është favoriti për ta fituar “Topin e Artë”. Anglezi i fundit që e ka fituar këtë çmim është Michael Owen në vitin 2001.
Dani Carvajal (Real Madrid, Spanja)
Dani Carvajal është 32-vjeçar, por paraqitjet e tij kanë qenë të mrekullueshme. Luajti 54 ndeshje, shënoi shtatë gola dhe asistoi tetë herë. Ka fituar La Ligan, Ligën e Kampionëve, Superkupën e Spanjës dhe “Euro 2024”.
Mbrojtësi i krahut të djathtë u bë vetëm njëri nga 12 futbollistë që kanë luajtur dhe kanë fituar Ligën e Kampionëve dhe Kampionatin Evropian në të njëjtin sezon.
Shënoi golin për 1:0 në finalen e Ligës së Kampionëve në fitoren ndaj Borussia Dortmundit. Po ashtu shënoi për Spanjën në fitoren ndaj Kroacisë në fazën grupore.
Carvajali mund të bëhet mbrojtësi i parë i krahut të djathtë që e fiton “Topin e Artë”.
Lamine Yamal (Barcelona, Spanja)
Lamine Yamal, po ashtu, pati shumë ndeshje të luajtura. Shënoi 10 gola në 64 paraqitje, ndërsa dha kontribut edhe me 14 asistime. Trofeu i vetëm i tij ishte në “Euro 2024”.
Si 16-vjeçar i luajti 50 ndeshje me klubin. Ai u bë lojtari më i ri në moshë që e arrin këtë shifër të ndeshjeve me Barcelonën. La gjurmë edhe në “Euro 2024”. Pati katër asistime duke e barazuar këtë rekord, ndërsa shënoi supergol në gjysmëfinale ndaj Francës në fitoren 2:1.
Ai u bë lojtari më i ri, golashënuesi më i ri dhe fituesi më i ri i një Kampionati Evropian. 17 vjet i mbushi një ditë para finales ndaj Anglisë.
U vlerësua si lojtari më i mirë i ri i gjithë turneut.
Legjenda e Brazilit, Ronaldo, me 21 vjet në vitin 1997, ishte futbollisti më i ri që e fitoi “Topin e Artë”.
Lionel Messi (Inter Miami, Argjentina)
Messi, 37-vjeçar, është futbollisti më i suksesshëm sa i përket historisë së “Topit të Artë”. Ai këtë çmim e ka fituar tetë herë, përfshirë edhe atë në vitin e kaluar, pasi dha kontribut të madh në triumfin e Argjentinës në Kupën e Botës.
Ai ende vlerësohet në mesin e favoritëve për ta fituar çmimin.
E shënoi vetëm një gol në triumfin e Argjentinës në Kupën e Amerikës në këtë verë, kundër Kanadasë në gjysmëfinale. E ndali finalen në gjysmë për shkak të një lëndimi të rëndë.
Messi nuk ka fituar asnjë trofe me Inter Miamin përgjatë kësaj kohe.