Trajneri i Feronikelit 74, Shefki Kuqi, u shpreh shumë i lumtur për fitoren e arritur. Kuqi tha se këto janë pikë të mëdha që mund t’u ndihmojnë atyre në garën për mbijetesë.
Feronikeli 74 mposhti 2:1 Malishevën të shtunën.
“Po fitojmë me mund të madh. Pavarësisht kësaj, unë kam një grup lojtarësh që po japin më të mirën. Secili ndryshim në formacion, secili zëvendësues, po e jep maksimumin. Po bëjmë lojë të mirë, atraktive, por rezultatet nuk kanë qenë ato që i kemi merituar. Kjo është fitore e madhe. E kam pasur bindjen e madhe për fitore. Edhe pse pranuam gol, u kthyem në lojë dhe dominuam. Kemi bërë paraqitje shumë të mira, sidomos në 4-5 ndeshjet e fundit. Nuk ka rëndësi se kush ka qenë përballë nesh, kemi luajtur mirë. Tani djemtë do të pushojnë e do t’i kthehemi punës. Synim i kemi vetëm fitoret”, është shprehur ish-futbollisti i Premier Leagues angleze, Kuqi.
Ndërkohë, trajneri i Malishevës, Qëndrim Kida, tha se Malisheva u mposht pasi futbollistët që ai i drejton, nuk i shfrytëzuan mundësitë që i patën.
“E kishim përgatitur mirë ndeshjen. Shpërdoruam disa raste në të dyja pjesët dhe pastaj u penalizuam në momentet më të këqija. Nuk arritëm që ta kthejmë rezultatin, rastet na kushtuan. Kjo ndeshje ishte evidente sepse kemi lëshuar shumë pikë në ndeshjet e fundit. Por për vendin e tretë do të japim atomin e fundit, deri në momentin kur kemi mundësi matematikore”, ka theksuar Kida për “ArtMotion” pas ndeshjes.