Shqipëria po i vazhdon përgatitjet për dy ndeshjet e fundit të edicionit të katërt të Ligës së Kombeve të UEFA-s.
Në kuadër të grupit B1, Shqipëria të shtunën e pret Çekinë nga ora 20:45 në “Air Albania” në Tiranë. Të martën, po në Tiranë, kuqezinjtë luajnë ndaj Ukrainës. Stadiumi pritet të jetë i mbushur me shikues dhe kjo vlerësohet përparësia më e madhe e Shqipërisë në këto dy ndeshje të vështira.
“Të dy kundërshtarët janë të fortë, kanë luajtur në Evropian. Synimi i tyre është kualifikimi, por ne mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës me Çekinë, e më pas për atë me Ukrainën. Nuk do të jetë lehtë pasi janë kundërshtarë të fortë. Çekia është skuadër fizike, por ne po përgatitemi. Avantazhi ynë i vetëm janë tifozët që do t’i kemi në ‘Air Albania’. Do të jenë shtysë e madhe për ne”, ka thënë të mërkurën në konferencë për shtyp mesfushori Ylber Ramadani.
Ai tashmë është prej lojtarëve kryesorë të Shqipërisë.
Shqipëria i ka gjashtë pikë në vendin e tretë, sa edhe Gjeorgjia në të dytin. Çekia e kryeson grupin me shtatë pikë, ndërsa Ukraina i ka katër. Çdo gjë mbetet e hapur për vendin e parë në grup, që siguron kalimin në Ligën A. Për Shqipërinë do të ishte sukses historik.
“Të gjithë kemi ardhur që të marrim në të dy ndeshjet rezultatet pozitive. Do të bëjmë maksimumin”, ka shtuar Ramadani.
Në konferencë foli edhe Indrit Tuci, që për herë të dytë është grumbulluar me Shqipërinë.
“Vetëm të luaj para tifozëve në ‘Air Albania’ është ndjenjë e veçantë. Shpresoj shumë që të shënoj edhe gol. Nuk ka rëndësi se kush shënon. Nëse shënon Ramadani do të jem dyfish më i lumtur. Çdo ditë e mendoj debutimin në Tiranë. E mendoj edhe golin dhe si mund të shënoj. Objektivi im është që të jap më të mirën dhe të ndihmoj ekipin. Goli është i mirëseardhur, nëse vjen”, ka thënë Tuci.
Sylvinho përballet me mungesa të shumta para ndeshjeve vendimtare. Armando Broja, Berat Gjimshiti, Keidi Bare, Marash Kumbulla, Rey Manaj janë prej lojtarëve që mungojnë. Adrian Bajrami, Jon Mersinaj e Arbnor Muja janë prej lojtarëve që u ftuan më vonë, pas konfirmimit të mungesave të shumta.
Të gjitha katër përfaqësueset e Grupit B1 ishin në “Euro 2024”. Ashtu si pritej, grupi doli të jetë shumë i fortë dhe thuajse i barabartë. Se kush do ta fitojë grupin, do të vendoset vetëm në ndeshjet e fundit.