Futboll

Kthimi i Zhegrovës po shtyhet vazhdimisht, te Lille të brengosur

Edon Zhegrova - Lille

A do të luajë Edon Zhegrova për Lillen këtë edicion? Këtë pyetje po e bëjnë të gjithë te skuadra franceze. Kosovari është në situatë të vështirë, pasi ka munguar për plot katër muaj. Por nuk është i vetmi në Ligue 1 që është në këtë gjendje

Më 14 dhjetor, në barazimin 1:1 të Lillet me Olympique Marseillen në “Velodrome”, Edon Zhegrova bëri grimasa mes pjesëlojëve. Atë kohë askush nuk ka menduar se Zhegrova do të jetë jashtë fushës për plot katër muaj. Një operim i mëvonshëm, në muajin janar, dhe shtyrja e vazhdueshme e kthimit në fushë, kanë bërë që të rriten vazhdimisht paqartësitë rreth tij, ka shkruar të martën një sajt i afërt me klubin e elitës franceze.

“Është vështirë t’u them më shumë se që di. Ai stërviti me ne të mërkurën, por nuk është ndier 100 për qind i gatshëm për të nisur me stërvitje të rregullta dhe më pas të konkurrojë për ndeshje kampionale”, ka thënë trajneri i Lille, Bruno Genesio në konferencën e mbajtur të enjten e kaluar, dy ditë para fitores ndaj Toulouse.

Trajneri i Lille nuk u ndal me kaq, por përmendi vështirësi psikologjike të lojtarit të tij.

“Është situatë e vështirë për ne, por sidomos për të. Është diçka e vështirë për të përballuar. Nuk e ka pranuar mirë. Nuk është në gjendjen më të mirë psikologjike”, ka vazhduar trajneri, i vetëdijshëm që kosovari shpreson të kthehet shpejt në fushë. Zhegrova ishte në lot kur iu tha në janar se nuk do të jetë në gjendje të udhëtojë për në Liverpool për ndeshjen e Ligës së Kampionëve.

Ai e ka kaluar atë gjendje prej atëherë, por pritja po vazhdon. Kthimi i tij është shtyrë vazhdimisht, shqetësimi është ende prezent, ndërsa muskujt e tij aduktorë ende janë të brishtë. Me pesë ndeshje të mbetura deri në fund të edicionit, ka ende paqartësi për gjendjen e Zhegrovës, por kjo nuk është unike në Francë.

A është dhembja e ijëve problemi kryesor në futboll? Gabriel Gudmundsson kishte këtë problem dhe mungoi plot 82 dytë, nga tetori i vitit 2022 deri në janar 2023. Më pas i janë dashur edhe shumë muaj për të kthyer gjendjen më të mirë fizike. Këtë edicion Tanguy Ndombele i Nicet dhe Soumaila Coulibaly i Stade Brestois, janë prekur nga ky problem. Edhe për këta dy futbollistë kthimi po shtyhet vazhdimisht. Dhe në këto klube nuk e kanë plotësisht të qartë gjendjen reale të lojtarëve. 

Për Zhegrovën, telashet në ije erdhën në kohë shumë të keqe. Ai po kalonte superformë para se të luante vetëm një pjesë me Marseillen më 14 dhjetor. Në vjeshtë kishte shkëlqyer ndaj Real Madridit dhe skuadrave tjera të mëdha. Hapi para në karrierë ishte çështje kohe. Tani për Zhegrovën gjëja më e rëndësishme është kthimi në fushën e lojës.