Futboll

Kthimi i Shaqirit te skuadra që dikur ishte dominuese

Xherdan Shaqiri

Xherdan Shaqiri ka pasur karrierë të madhe si futbollist duke fituar edhe trofe të Ligës së Kampionëve.

Pas periudhës jo shumë të suksesshme në ligën MLS të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, te Chicago Fire, Shaqiri u kthye te skuadra që dikur ishte dominuese në Zvicër – Baseli, shkruan “Associated Press” të premten. 

Shaqiri po shkëlqen me gola e asistime dhe është afër që me Baselin ta fitojë një tjetër titull. 
Baseli ka 20 tituj gjithsej, por të fundit e ka fituar në vitin 2017. 

33-vjeçari Shaqiri këtë edicion ka 15 gola e 15 asistime në 31 paraqitje në të gjitha garat. Ka kontribuuar shumë që Baseli të jetë i pari në tabelë me 58 pikë, gjashtë më shumë se Servette e vendit të dytë. Ndeshjen e fundit në stinorin e rregullt, Baseli e luan më 21 prill. Më pas në gjysmëfinale të Kupës më 27 prill, Baseli luan ndaj Lausannes. 

Shaqiri i ishte bashkuar Baselit si tetëvjeçar. Ka luajtur edhe te Bayern Munichu, Interi, Stoke City, Liverpooli e Lyoni. 

Është i vetmi futbollist që ka shënuar në tri Kupa të Botës dhe tri Kampionate Evropiane, prej vitit 2016 deri në vitin 2024. 

“Jemi në formë të mirë dhe gjithçka po shkon mirë. Të shohim se çfarë do të bëjnë të tjerët”, ka deklaruar Shaqiri pas fitores së katërt rresht në ligë, në të cilat ndeshje ka shënuar katër gola. 

Shaqiri me Baselin ka tre tituj e dy Kupa të Zvicrës. Me Bayernin ka tre tituj, dy Kupa gjermane, një Superkupë gjermane, Ligën e Kampionëve, Superkupën e Evropës dhe Kupën e Botës për Klube.

Titullin e fitoi edhe në Angli me Liverpoolin. Me të kuqtë triumfoi edhe në Ligën e Kampionëve, Superkupë dhe Kupën e Botës për Klube.  

Goli i Shaqirit në “Euro 2016” ndaj Polonisë ishte zgjedhur më i miri i atij Evropiani.