Futboll

Kryeziu flet për emocionet pasi vendosi derbin e Zurichut

Mirlind Kryeziu

Në derbin e dytë të Zurichut brenda tre ditësh, ka një fitues pas 90 minutave. 

Zurichu të martën mbrëma e mposhti Grasshopperin 1:0, me golin e qendërmbrojtësit të Kosovës, Mirlind Kryeziu. 

Kryeziu shënoi në minutën e 71-të, ndërsa skuadra e tij avancoi në çerekfinale të Kupës së Zvicrës.

Zurichu kishte katër ndeshje rresht pa fituar në Superligën e Zvicrës. 

Ndaj Grasshopperit kishte barazuar 1:1 më 30 nëntor. 

“Kur je pjesë e Zurichut që prej fëmijërisë dhe shënon në një ndeshje të rëndësishme, është padyshim ndjenjë e shkëlqyer”, ka thënë Kryeziu për “Nau.ch” pas ndeshjes. 

Ai golin ia dedikoi gjithë bashkëlojtarëve. 

“Kemi parë disa momente të lojës gjatë pushimit, ndërsa i zbatuam ato më së miri në pjesën e dytë”, është shprehur qendërmbrojtësi 27-vjeçar. 

Për Kryeziun ishte goli i dytë në 21 paraqitjet e edicionit aktual, në të gjitha garat. Ai i ka edhe dy asistime.