Futboll

Kryetari i Dardanëve: I kërkojmë falje Rrahmanit nëse është ndier i ofenduar

Kosova

Pas publikimit të disa videove amatore që kanë qarkulluar gjatë ditës, janë parë disa momente nervozizmi të shprehura nga kapiteni i Kosovës në futboll, Amir Rrahmani. 

E gjithë situata ka ndodhur pas ndeshjes që Kosova e fitoi në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë ndaj Qipros, 3:0, në ndeshjen e Grupit C2 të Ligës së Kombeve.  

Në video shihet një diskutim mes kapitenit Rrahmani dhe kryetarit të tifozërisë së Kosovës, “Dardanëve”, Lulzim Berisha. 

Ka pretendime se kapiteni Rrahmani u ofendua, por një gjë e tillë u mohua nga Berisha. 

Ai madje edhe ka reaguar në llogarinë e tij në Facebook, të mërkurën në mbrëmje. 

“Pas raportimeve të fundit mediale, si kryetar i Dardanëve dhe në emër të gjithë tifogrupit, dëshirojmë që t’i kërkojmë falje kapitenit tonë, Amir Rrahmanit, dhe çdo lojtari apo stafit të gjithëmbarshëm nëse është ndier i ofenduar nga ndonjë keqkuptim apo nga ndonjë fjalë e lëshuar nga dikush prej tifozëve, që jodomosdoshmërisht nënkupton se është pjesë e Dardanëve. Qëllimi im si Lul nuk është ta ofendoj askënd nga lojtarët. Të njëjtën gjë mund ta them edhe për kryesinë tonë të tifogrupit. Ne kemi qenë në çdo vështirësi të Kosovës pranë kombëtares tonë dhe këtyre lojtarëve. Kemi qenë edhe kur të tjerët e kanë sharë. Kemi qenë dhe i kemi mbrojtur e përkrahur në Shkodër, Mitrovicë, Prishtinë apo kudo në Evropë. Kosova është mbi secilin. Ne jemi për ta mbrojtur interesin e kombëtares. Prandaj edhe nëse dikush është prekur nga kombëtarja apo stafi, ta pranojnë kërkimfaljen tonë. Qëllimi ynë është fisnik që nga dita e parë. Do të jemi gjithmonë tifozët besnikë pranë kapitenit Rrahmani, lojtarëve dhe trajnerit. Sepse Kosova është ajo që na bashkon dhe që na bën ditën, javën, muajin dhe vitin më të bukur.

Gabimet jodashakeqëse nuk përjashtojmë rastin që mund të kenë ndodhur. Konstantja që mbetet është dashuria për Kosovën”, ka shkruar Berisha. 

Pas humbjes nga Rumania në Prishtinë muajin e kaluar, “Dardanët” por edhe shikuesit e tjerë të pranishëm, kanë fishkëllyer lojtarët dhe kanë brohoritur “marre, marre” e “jashtë, jashtë”, në drejtim të futbollistëve të Përfaqësueses së Kosovës.