Skuadra e elitës së futbollit ukrainas, Kolos Kovalivka, ka njoftuar të shtunën për transferimin e qendërmbrojtësit të Llapit, Ilir Krasniqi.
24-vjeçari është transferuar për 300 mijë euro sipas faqes “Transfermarkt”.
Mediumi “Statbet” ka shkruar të shtunën se Krasniqi ka nënshkruar kontratë dyvjeçare, ndërsa është regjistruar tek ekipi i ri edhe në faqen zyrtare të Premier Leagues së Ukrainës. Ai do ta bartë fanellën me numrin 16-të.
“Jemi të lumtur që Iliri do të jetë pjesë e ekipit tonë. Eksperienca e tij dhe paraqitja në disa pozita, do të jetë e rëndësishme për suksesin tonë”, ka deklaruar trajneri Vyshniak Yaroslav, shkruan tutje mediumi ukrainas.
Krasniqi i kaloi tre vjet e gjysmë te skuadra e drejtuar nga trajneri Tahir Batatina dhe luajti në 121 ndeshje. Ka realizuar katër gola dhe ka katër asistime.
Krasniqi ka edhe shtatë paraqitje me Kosovën, ndërsa është i grumbulluar edhe për ndeshjet e muajit shtator. Ishte në bankën rezervë ndaj Rumanisë, por nuk u aktivizua nga selektori Franco Foda.
Krasniqi mund të luajë në qendër të mbrojtjes, në krahun e djathtë, por edhe si mesfushor defensiv.
“Ilir është lojtar që mund të sjellë stabilitet në mbrojtje dhe mund të na ndihmojë të arrijmë sa më lartë”, ka theksuar drejtori sportiv i klubit, Lysytskyi Vitalii.
