Mbrojtësit francez, Jules Kounde, i ka kushtuar në disa raste vonesa në takimet që i mban trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, para ndeshjes.
Kounde është vonuar tri herë në takimet që trajneri i ka pasur para ndeshjes.
Dhe sa herë që Kounde u vonua, Flicku e la atë në bankën rezervë.
Për t’i shmangur këto vonesa, Kounde ka vendosur që t’i kërkojë ndihmë pjesëtarëve të personelit të sigurisë, që i shoqërojnë futbollistët në udhëtime dhe në kampet stërvitore. Prej tyre ka kërkuar ta njoftojnë pesëmbëdhjetë minuta para se të fillojnë takimet e Flickut.
“Mundo Deportivo” ka raportuar të martën se francezi është përpjekur ta zgjidhë vetë situatën, por ka arritur në përfundim se është më mirë që dikush tjetër ta informojë se duhet të largohet nga dhoma e hotelit dhe të shkojë me shokët e skuadrës në takim me trajnerin.
Flickut nuk i pëlqejnë vonesat që bëhen nga futbollistët. Ka pasur edhe situata tjera të ngjashme të Koundes, por Flicku i ka mirëkuptuar disa prej tyre.
26-vjeçari Kounde e realizoi golin e fitores për Barçën në finalen e Kupës së Mbretit ndaj Real Madridit.
Kounde ka shënuar katër gola dhe ka bërë tetë asistime në 52 ndeshjet e zhvilluara këtë edicion.