“Quhet Kosovare dhe feston me shqiponjë dykrenore, përkrah Shaqirin dhe Xhakën – tash po vjen në Leskovc”. Kështu është titulli i gazetës serbe “sportal.blic.rs” për ndeshjen që Serbia do ta zhvillojë ndaj Suedisë në plejofin e kualifikimeve për Evropianin e vitit të ardhshëm. “Ajo ka marrë emrin nga vendlindja e prindërve të saj, ndërsa në këmbën e djathtë ka tatuazh shqiponjën, simbolin e flamurit shqiptar”, shkruan ndër të tjera “sportal.rs”.
Ndeshja luhet në Leskovc të enjten nga ora 18:00, ndërsa ajo e kthimit më 3 dhjetor në Stockholm nga ora 19:00. Përfaqësuesja me rezultatin e përgjithshëm më të mirë nga dy ndeshjet, do të kualifikohet në Evropianin 2025.
Kosovare Asllani është prej lojtareve më të rëndësishme të Suedisë dhe nuk ka kaluar pa u komentuar edhe nga mediat në Serbi. Asllani është kapitene e Suedisë. Në 103 ndeshje për Suedinë ka shënuar 29 gola dhe ka kontribuar me 25 asistime. Asllani 35-vjeçare luan për London City Lionesses, ndërsa në të kaluarën ka luajtur për skuadra të mëdha si Milani, Real Madridi, Manchester City e Paris Saint-Germaini.