Futboll

Kosova U19 mposhtet nga Sllovenia, Evropiani i paarritshëm

Kosova, futboll, Sllovenia, sport

Kosova U19

Artikull i përditësuar 13:59 - Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll e ka mbyllur me humbje rrugëtimin në kualifikimet për “Euro 2024”.

Të martën të rinjtë e Kosovës pësuan 2:0 nga Sllovenia në ndeshjen e fundit të raundit elitar të kualifikimeve për Evropian. Kështu Kosova U19 përfundoi e treta në Grupin 1 të raundit elitar. Grupin e fitoi Spanja me shtatë pikë, ndërsa Sllovenia u rendit e dyta me katër pikë. Austria përfundon e katërta, përkatësisht e fundit, me tri pikë. Spanja si fituese e grupit u kualifikua në Evropianin që mbahet në Irlandë të Veriut.

Kosovës i duhej fitorja ndaj Sllovenisë dhe që Spanja mos të fitonte ndaj Austrisë, për të siguruar Evropianin. Por nuk u realizua asnjëra dhe kështu Evropiani mbeti ëndërr e parealizuar. Spanja fitoi 2:1 ndaj Austrisë. 

Turneu kualifikues i Grupit 1 u zhvillua në Slloveni. Të martën në Lendava, sllovenët kaluan në epërsi 1:0 në moment shumë të rëndësishëm. Çuber Potoçnik shënoi në minutën e 40-të. Futbollistët e Kosovës kanë kërkuar golin e barazimit, por në minutën e 87-të erdhi goditja tjetër. Një aksion të rrjedhshëm të Sllovenisë U19, në gol e shndërroi Florjan Jevshenak.

Futbollistët e Kosovës i krijuan tetë raste, një më pak se ata të Sllovenisë. Ndërkohë e kishin vetëm një goditje në kornizë të portës, ndërsa sllovenët i kishin dy, që edhe përfunduan në rrjetë. 
Kosova U19 në ndeshjen e parë kishte fituar ndaj Austrisë dhe kështu kishte rritur gjasat për kualifikim. Në garë mbeti edhe pas humbjes 2:1 nga Spanja, por sllovenët të martën u shfaqën më efikas.

Në raundin kualifikues, të zhvillua në nëntor në Maltë, Kosova ishte renditur e dyta, pas Ukrainës. Falë pozitës së dytë e fitoi rastin të paraqitet në raundin elitar, ku pati paraqitje të denjë, por jo të mjaftueshme për kualifikim historik.