Futboll

Mposhti kampionen, por Kosova U19 nuk kualifikohet

Kosova U19

Brenda pak ditësh, Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll shënoi dy fitore. Pas fitores së madhe të shtunën kundër kampiones në fuqi të Evropës, Spanjës U19, me rezultatin 4:3, “Dardanët” e rinj të martën mposhtën edhe Ishujt Faroe me shifrat 2:0. Por, Kosova U19 mbeti jashtë garës për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian të vitit  2025.

Përfundoi e treta në Grupin 10 të kualifikimeve për “Euro 2025”.

Në fakt, Kosova U19 e përfundoi turneun kualifikues të Grupit 10, që u zhvillua në Prishtinë dhe Podujevë, me pikë të njëjta me Austrinë dhe Spanjën. Të tria përfaqësueset fituan nga gjashtë pikë, por falë golaverazhit më të mirë në ndeshjet e ndërsjella, në “Elite Round” avancuan Austria dhe Spanja.

Spanja siguroi avancimin tutje falë fitores ndaj Austrisë, me gol të shënuar në minutën e 90-të, po ashtu të martën.

Përzgjedhësi i Kosovës U19, Adil Maliqi, është i zhënjyer me eliminimin. Por është krenar me paraqitjen e lojtarëve.

“Jam shumë krenar me djemtë, me paraqitjen që e kemi pasur në këtë turne. Është dëshpëruese ajo që ka ndodhur në fushën tjetër, në minutëne 90-të. Nuk kemi çfarë të bëjmë, duhet të pajohemi me këtë fakt. Unë i përgëzoj lojtarët me paraqitjen që e kanë bërë, për lojën që e kanë luajtur. Kemi treguar kulturë të lojës që as Austria e as Spanja nuk e kanë pasur”, ka thënë Maliqi.

Ai ka përmendur fitoren e madhe ndaj Spanjës, ndërsa pret në të ardhmen fitore tjera të mëdha.

Kosova U19 golin e parë në ndeshje e shënoi në minutën e 31-të me Dior Gërbovcin. Eliot Bujupi në minutën e 52-të realizoi për 2:0.

Kapiteni Bujupi është krenar me fitoret që Kosova i shënoi ndaj Spanjës dhe Ishujve Faroe.

“Jam shumë krenar me paraqitjen. Besoj se kemi bërë publikun krenar. Spanja ka dhënë gol në minutën e fundit. Por mund të them se kemi bërë një paraqitje të mirë. Jam i kënaqur si kapiten, por futbolli e ka kështu nganjëherë dhe duhet të shohim përpara”, ka thënë Bujupi.

Kosova ndeshjen e parë e humbi 4:0 nga Austria. Dhe, humbja e thellë nga austriakët ka bërë që fati i “Dardanëve” të vendoset me goldallim.

“Ka qenë ndjenjë shumë e mirë, sidomos fitorja kundër Spanjës në minutat shtesë. Ka qenë ndjenja më e mirë. Edhe fitorja kundër Ishujve Faroe ka qenë e mirë, por është e hidhur që nuk u kualifikuam tutje. Pas dy ndeshjeve të përkryera, nuk është ndjenjë e mirë të eliminohesh”, ka thënë mesfushori Luan Lleshi.

Kosova U19 në pranverë kishte luajtur në raundin elitar dhe ishte ballafaquar edhe me Austrinë e Spanjën. Ndaj Austrisë U19 kishte fituar 1:0, kurse kishte pësuar disfatë 2:1 nga Spanja dhe 2:0 nga Sllovenia. Ishte renditur në vendin e tretë dhe nuk kishte avancuar në turneun final.

Në turneun në Prishtinë, në xhiron e parë Spanja fitoi 3:0 ndaj Ishujve Faroe, e Kosova humbi 4:0 nga Austria. Në xhiron e dytë Austria fitoi 4:0 ndaj Ishujve Faroe, kurse Kosova e mposhti Spanjën 4:3. Dhe fitorja 1:0 e Spanjës ndaj Austrisë, me gol të minutës së 90-të, e bëri të “pavlefshme” fitoren 2:0 të Kosovës ndaj Ishujve.

Spanja U19 i ka nëntë tituj të Evropës.