Futboll

Kosova U19 humb thellë nga austriakët

Kosova U-19 me Austrine U-19

Futbollistët e grupmoshës U19 të Kosovës kanë pësuar humbje të thellë në nisje të turneut kualifikues për në Evropianin 2025. Kosova U19 të mërkurën u mposht 4:0 nga Austria e kësaj grupmoshe. 

Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe i takoi Grupit 10 kualifikues. 

Të udhëhequrit e përzgjedhësit Adil Maliqi golin e parë në ndeshje e pësuan në minutën e nëntë. 
Sulmuesi Phillip Verhounig shënoi për 1:0. 

Futbollisti që aktivizohet te skuadra e Lieferingut, skuadrës së dytë të Salzburgut, realizoi sërish për 2:0, në minutën e 65-të. 

Golin për 3:0 mysafirët e shënuan në minutën e 73-të, me Leon Grgiqin, që luan te skuadra e Sturm Grazit në Bundesligën austriake. 

Dhjetë minuta para fundit, Austria U19 e realizoi golin përfundimtar me qendërsulmuesin dhe futbollistin tjetër të Lieferingut, Oghenetejiri Adejenughure. 

Në ndeshjen tjetër të po këtij grupi, Spanja mposhti Ishujt Faroe, 3:0. 

Ndeshjen e dytë, Kosova U19 e luan më 16 nëntor nga ora 15:00 pikërisht ndaj spanjollëve, që janë fitues në fuqi të Evropianit U19.  Austria luan kundër Ishujve Faroe nga ora 12:00. 

Grupin 10, Kosova U19 e mbyll me ndeshjen ndaj Ishujve Faroe më 19 nëntor. 

Të gjitha ndeshjet e këtij grupi zhvillohen në Kosovë, si nikoqire. 

“Dardanët” e rinj luajnë në stadiumin “Fadil Vokrri”, kurse ndeshjet tjera zhvillohen në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. 

Dy përfaqësueset e para në dhjetë grupet e mbetura kualifikuese, bashkë me më të mirin e vendit të tretë, avancojnë në “Elite Round”.  Ndeshjet e këtij raundi zhvillohen në pranverën e vitit të ardhshëm. 

Kosova U19 me selektorin Adil Maliqi luajti në mars të këtij viti në raundin elitar. Pësoi humbje nga Sllovenia U19 2:0 dhe nga Spanja U19, 2:1. E kishte mposhtur Austrinë U19 1:0, në kuadër të Grupit 1. 
Të rinjtë e Kosovës e kishin mbyllur raundin elitar në vendin e tretë dhe nuk kishin avancuar tutje. 
Kampionati Evropian 2025 zhvillohet në Rumani, nga 13 deri më 26 qershor 2025.