Futboll

Kosova U19 e U17 mësojnë kundërshtarët e kualifikimeve të Evropianit 2025

Kosova U19

Kosova U19 para ndeshjes me Spanjën në muajin mars

Kundërshtarë të vështirë do të kenë grupmoshat e reja të Kosovës për ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian 2024/25.

Grupmosha U19 dhe ajo U17 kanë mësuar kundërshtarët për ndeshjet e këtij cikli kualifikues, pas shortit të tërhequr të premten në Nyon të Zvicrës.

Kosova U19 në Grupin 10 do të luajë kundër Spanjës, Austrisë dhe Ishujve Faroe.

Ndërkohë, Shqipëria, që ishte në vazon e katërt me këtë grupmoshë, do të luajë në Grupin 11 me Izraelin, Danimarkën dhe Irlandën e Veriut.

Me Spanjën dhe Austrinë, “Dardanët” e rinj të udhëhequr nga selektori Adil Maliqi, kishin luajtur edhe në muajin mars në raundin elitar, për Evropianin e këtij viti që organizohet në Irlandën e Veriut.

Kosova U19 e kishte mposhtur Austrinë 1:0, ndërsa ishte mposhtur nga Spanja, 2:1.

Turneu final i Evropianit 2025, do të organizohet në Rumani.

Në pranverën e vitit të ardhshëm, 27 skuadra do të avancojnë në raundin elitar, e më pas tetë prej tyre do t’i bashkohen Rumanisë nikoqire.

Portugalia, e cila ka koeficientin më të lartë, do ta nisë garimin nga raundi elitar.

Kosova U19 ishte në vazon e tretë.

Ndeshjet kualifikuese të kësaj grupmoshe luhen në shtator, tetor e nëntor.

Dy skuadrat e para të secilit grup, dhe skuadra e tretë më e mirë nga 13-të grupe sa janë gjithsej, avancojnë në raundin e dytë.

Ndërkohë, grupmosha U17 e udhëhequr nga selektori Arbnor Morina, do të ketë punë në Grupin 4 me Belgjikën, Ukrainën dhe Kazakistanin.

Kosova ishte në vazon e tretë, njësoj si Shqipëria, që do të jetë nikoqire e turneut të Evropianit në vitin 2025.

Shqipëria U17 është në Grupin 3 me Holandën, Kroacinë dhe Ishujt Faroe.