Futboll

Kosova synon ta fitojë grupin në Ligën e Kombeve

Kosova (femrat)

Futbollistet e Kosovës kanë humbur vetëm njërën prej tetë ndeshjeve të kaluara ndaj Maqedonisë së Veriut. Gjashtë fitore i kanë takuar Kosovës, ndërsa një ndeshje përfundoi baras.

Vetëm dy përballjet e fundit ishin garuese, ndërsa gjashtë të tjera ishin miqësore. Kosova dhe Maqedonia e Veriut do të përballen sërish këtë javë.

Me ndeshjen e së premtes në Shkup, për Kosovën e Maqedoninë e Veriut fillon edicioni i dytë i Ligës së Kombeve të UEFA-s. Kosova është në Grupin 6 të Ligës C, ku bën pjesë edhe Letonia.

Me Letoninë, Kosova luan të martën e ardhshme në “Fadil Vokrri”.

Futbollistet e Kosovës i kanë nisur përgatitjet të martën.

“Ne paraprakisht i kemi pasur dy grumbullime dhe kemi zhvilluar një lojë testuese, e cila ka qenë shumë e mirëseardhur për ta seleksionuar grupin më të mirë që do t’i përgjigjet kundërshtarëve në këto ndeshje të Ligës C. Tani i gjithë fokusi është te përballja e së premtes ndaj Maqedonisë së Veriut, ndërsa pas kësaj ndeshjeje do të mendojmë për duelin me Letoninë. Një risi e këtij grumbullimi është se kemi përfshirë shtatë lojtare nën 20 vjeç, të cilat vijnë nga Kombëtarja U19 dhe që gradualisht do të adaptohen me mënyrën e lojës në ekipin A. Qëllimi ynë është rikthimi në Ligën B dhe mbajtja e një niveli të lartë”, ka thënë përzgjedhësi i Kosovës, Sami Sermaxhaj, për FFK-në.

Kapitenia e Kosovës, Erëleta Memeti, ka premtuar maksimumin në dy ndeshjet e para.

“Stërvitja e parë ka kaluar shumë mirë, atmosfera në ekip është e shkëlqyer dhe lojtaret e reja që kanë ardhur nga U19 janë integruar shumë shpejt. Ndonëse kushtet klimatike janë të ftohta, ne do të japim maksimumin në fushë. Maqedonia e Veriut është një kundërshtare që e njohim mirë nga përballjet e kaluara dhe e dimë që ka disa lojtare cilësore. Do të jetë një sfidë e vështirë, por ne si ekip do të bëjmë më të mirën për të dalë me rezultat pozitiv”, ka theksuar Memeti. Ajo po shkëlqen në Bundesligë.

Optimiste për rezultate pozitive është edhe Donjeta Halilaj.

“Disponimi i vajzave është shumë i mirë dhe shpresoj që gjithçka të shkojë si duhet. Besoj se me punë dhe angazhim mund të arrijmë çdo gjë. Me trajnerin e ri, ekipi po punon në mënyrë shumë të organizuar dhe vajzat janë të fokusuara 100 për qind. Shpresoj të arrijmë fitore në këto dy ndeshje”, ka deklaruar Halilaj.

Në edicionin e parë të Ligës së Kombeve, Kosova garoi në ligën C. Ndeshjet ishin luajtur në vjeshtën e vitit 2023, ndërsa Kosova fitoi grupin ku ishin edhe Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut.

Kosova doli në ligën B për kualifikimet për Evropianin 2025. Liga B ishte nivel i papërballueshëm. Futbollistet kosovare i humbën të gjitha gjashtë ndeshjet, duke pësuar 17 gola dhe duke mos realizuar asnjë. Ishin në grup me Uellsin, Ukrainën dhe Kroacinë. Dhe kështu u kthyen në ligën C për edicionin e dytë të Ligës së Kombeve.