Futboll

Kosova synon fitore me shumë gola ndaj Qipros

Konferenca per media e Perfaqesueses se Kosoves para ndeshjes me Qipron

Edon Zhegrova shënoi gol të bukur ndaj Lituanisë, të shtunën në Kaunas. Zhegrova po kalon formë të mirë te Lille në Francë dhe pritet të jetë në nivel të lartë edhe të martën mbrëma në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, kur Kosova të përballet me Qipron.

Kosova është favorite e madhe në ndeshjen që fillon në ora 20:45. Në Larnaca, në shtator, Kosova kishte fituar 4:0 ndaj qipriotëve. Qiproja ka ndryshuar trajnerin, por cilësia e përfaqësueseve mbetet e njëjtë. Lojtarët e Kosovës i takojnë nivelit dukshëm më të lartë dhe këtë pritet ta dëshmojnë në fushën e lojës.

Sulmuesi i krahut, Zhegrova, është optimist.

“Presion nuk kam. Sa herë që vij në Kombëtare, vij me kënaqësinë më të madhe dhe të jap maksimumin në secilën ndeshje. Loja e kaluar ishte e mirë, por kemi mundur edhe më mirë. Kemi mësuar nga gabimet e ndeshjes së kaluar, kemi analizuar lojën dhe besoj se ndeshja e ardhshme do të jetë edhe më e mirë”, ka thënë Zhegrova në konferencë për shtyp të hënën. 

Ndeshja Kosovë – Qipro i takon Grupit C2 të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Pas tri xhiros, Kosova është e dyta në grup me gjashtë pikë. Rumania udhëheq me nëntë pikë. Qiproja renditet e treta me tri pikë, ndërsa Lituania mbetet pa pikë.

Në nismë të kampanjës, Kosova pësoi 3:0 nga Rumania. Ndërkohë të shtunën fitoi 2:1 ndaj Lituanisë. Pos Zhegrovës gol shënoi edhe Ermal Krasniqi. 

“Në ndeshjen e kaluar jemi paraqitur mirë. Nesër në Prishtinë do të japim maksimumin dhe hyjmë për fitore. Uroj të shënojmë sa më shumë gola”, ka vazhduar Zhegrova. Ai ka thënë se është i gatshëm të marr përgjegjësinë për ta udhëhequr Kosovën, së bashku me lojtarët e tjerë.

Në fakt fitorja ndaj Qipros as që diskutohet. Çdo rezultat tjetër do të ishte dështim.

Ndeshja vendimtare e Kosovës do të jetë më 15 nëntor ndaj Rumanisë në Bukuresht. Do të vendoset vendi i parë në grup. Për shkak të fitores 3:0 në Prishtinë, Rumania vlerësohet favorite e madhe për vendin e parë. 

Gjasat janë të mëdha që ndaj Qipros e Lituanisë të mos lëshojnë pikë as Kosova e as Rumania. Dhe kështu do të vendosnin përballjet mes vete.

Selektori Franco Foda ka vlerësuar paraqitjen në Lituani. Sipas teknikut gjerman, fitorja është dashur të jetë më e thellë.

“Qiproja ka trajner të ri. Duhet të luajmë sikur në Lituani, me energji të njëjtë, me mendësi të njëjtë. E dimë që Qiproja luan lojë mjaft dinamike dhe bën presion të madh. Jemi mirë të përgatitur, kemi energji për këtë lojë”, ka thënë Foda.   

“Në ndeshjen e kaluar treguam cilësi. Jemi munduar që të bëjmë presion. Kemi treguar agresivitet dhe energji pozitive. Kemi pasur topin. Një mangësi ishte që kemi mundur të shënojmë më shumë gola, por nuk arritëm këtë. Do të luajmë më ndryshe se që kemi luajtur në Qipro”, ka shtuar Foda.

Ai ka treguar se Aro Muriq ishte i lënduar të shtunën dhe për këtë arsye Amir Shaipi fitoi rastin të debutojë. Portieri Muriq të dielën ka ushtruar me grupin dhe do të shihet në ditën e ndeshjet nëse ai do të jetë gati 100 për qind për të startuar. 

Elvis Rexhbeçaj mungon për shkak të suspendimit, ndërsa në dyshim mbetet paraqitja e Valon Berishës.

Selektori Foda ka lënë të hapur mundësinë që Muharrem Jashari të startojë ndaj Qipros, ndonëse ka thënë se tipat e tij dallojnë shumë me ato të Rexhbeçajt. 

Foda thotë se e rëndësishme është që lojtarët të kuptojnë se duhet të luajnë së bashku.
Pos Rexhbeçajt, Kosovës i mungojnë edhe Vedat Muriqi e Leart Paqarada. Por të gjithë ata që aktivizohen e dinë detyrën që i pret – fitorja me sa më shumë gola të shënuar.

“Personalisht nuk jam i kënaqur me vendin e dytë. Duhet të synojmë lart dhe të luftojmë për vendin e parë në grup”, thotë selektori Foda. 

Për të synuar vendin e parë, fitorja ndaj Qipros është obligim.