Futboll

Kosova synon fitore dhe lojë të bukur ndaj Norvegjisë

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të enjten i ka nisur përgatitjet për ndeshjen miqësore kundër Norvegjisë. 

Për “Dardanët”, ndeshja ndaj norvegjezëve do të jetë e vetmja gjatë këtij grumbullimi. 

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, pret nga lojtarët e tij fitore dhe lojë të bukur kundër Norvegjisë. 

Tekniku gjerman të enjten publikoi listën e lojtarëve, doli në konferencë për shtyp dhe udhëhoqi stërvitjen e parë për ndeshjen miqësore kundër Norvegjisë. 

Miqësoren ndaj Norvegjisë, Kosova e luan më 5 qershor në Oslo.

“Kemi lojën ndaj Norvegjisë, miqësoren para ndeshjeve të Ligës së Kombeve. Do të kisha dëshirë t’i kisha dy miqësore, por për disa arsye kemi vetëm një ndeshje. Ndaj Norvegjisë është ndeshje e mirë përgatitore para ndeshjeve kualifikuese. Gati të gjithë lojtarët janë këtu, përveç Aro Muriqit që është i sëmurë. Në dy ditët e ardhshme do ta di a do të jetë i pranishëm. Kemi disa mungesa, lëndime”. 

Kosova kishte planifikuar miqësore edhe me Bahrejnin, por shteti aziatik ishte tërhequr. Megjithatë, Foda i gëzohet përballjes kundër Norvegjisë.

“Këto ekipe i bëjnë mirë zhvillimit të ekipit tonë. Duhet të kemi guxim për t’u paraqitur ndaj Norvegjisë. Duhet që idenë tonë ta realizojmë në fushë dhe po shpresojmë të bëjmë lojë të bukur”. 
Ai ka thënë se ylli i Manchester Cityt, Erling Haalandi, do të jetë sfidë për mbrojtjen e Kosovës.
“Haalandi dhe Odegaardi janë në këtë skuadër që kanë kualitet të dëshmuar. Dhe janë ndër më të mirët në botë. Jemi përgatitur të luajmë ndaj Norvegjisë. Kam përvojën me Austrinë. Do të jetë sfidë për mbrojtjen tonë, por do të punojmë për t’i ndalur”. 

Foda insiston në fitore ndaj norvegjezëve.

“Ekipi është i balancuar dhe jemi të përgatitur për të qenë gati për ndeshjen ndaj Norvegjisë dhe të arrijmë fitore”, është shprehur Foda.

Trajneri i Kosovës ka zbuluar se Donis Avdijajn që luan te Hartbergu nuk e ka ftuar për shkak se ka disa mosmarrëveshje mes tij dhe Federatës së Futbollit (FFK).

“Kemi vendosur edhe nga forma dhe niveli i tyre. Emir Sahiti është në listën e zgjeruar, kurse Donis Avdijaj, të cilin e njoh më herët, ka pasur disa mosmarrëveshje mes FFK-së dhe atij. Do të kemi kohë të mjaftueshme për t’u ulur dhe për të diskutuar”, ka zbuluar Foda.

Kosova në shtator do t’i zhvillojë dy ndeshjet e para të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve. Më 6 shtator luan ndaj Rumanisë, kurse tri ditë më vonë kundër Qipros.

Kosova është në Grupin 2 të Ligës C, ndërsa synon ngritjen në Ligën B.

“Janë 7-8 lojtarë të cilët kanë bindur dhe tashmë ka edhe pak vende për tu plotësuar. Jemi mjaft të përgatitur dhe kemi kualitet për të qenë në Ligën e Kombeve. Besoj se do të ngrihemi në Ligën B. Besoj të kemi paraqitje të mirë ndaj Norvegjisë. Në ndeshjet e marsit kemi shfaqur posedim të mirë të topit. Çka mund të përmirësojmë është formimi i lojës mes vete. Besoj të paraqitemi mirë”, ka thënë Foda. 

Ai shpreson që lojtarë të tjerë të rinj t’i bashkohen Kosovës për ndeshjet e Ligës së Kombeve. 

“Secili lojtar që dëshiron të luajë për Kosovën është i mirëseardhur. Por ata që vendosin të luajnë për Kosovën, duhet ta bëjnë me zemër”, ka thënë Foda.

Art Smakaj e Mustafë Abdullahu janë emra të rinj në Përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Smakaj luan te Lokomotiva e Zagrebit si mesfushor, ndërsa Abdullahu është portier te Tirana.

Pesë lojtarë janë ftuar nga Superliga e Kosovës. Bëhet fjalë për lojtarët e Ballkanit, Lumbardh Dellova dhe Lindon Emërllahu, dy të Llapit, Ilir Krasniqi dhe Muhamet Hyseni, si dhe talenti i Malishevës, Drilon Hazrollaj. Një nga mungesat më të rëndësishme është ajo e Milot Rashicës. 

Nën drejtimin e Fodas, Kosova i luajti dy ndeshje miqësore në mars. Fitoi ndaj Armenisë 1:0, kurse humbi nga Hungaria 2:0.

Lista e Kosovës për miqësoren ndaj Norvegjisë

Portierë: Arijanet Muriq, Visar Bekaj, Mustafë Abdullahu

Mbrojtës: Mërgim Vojdova, Florent Hadërgjonaj, Amir Rrahmani, Ilir Krasniqi, Fidan Aliti, Lumbardh Dellova, Leart Paqarada

Mesfushorë/sulmues: Valon Berisha, Blendi Idrizi, Lindon Emërllahu, Art Smakaj, Edon Zhegrova, Bernard Berisha, Altin Zeqiri, Drilon Hazrollaj, Ermal Krasniqi, Vedat Muriqi, Albion Rrahmani, Muhamet Hyseni dhe Elbasan Rashani.