Futboll

Kosova rrezikon të jetë pa lojtarin kryesor në ndeshjet e tetorit

Vedat Muriqi

Vedat Muriqi shënoi dy gola në fitoren 4:0 të Kosovës ndaj Qipros, më 9 shtator në Larnaca. Por gjasat janë të mëdha që Muriqi të mos jetë pjesë e përfaqësueses në dy ndeshjet e radhës.

Kosova më 12 tetor luan në Kaunas ndaj Lituanisë, ndërsa më 15 tetor e pret Qipron në Prishtinë. Ndeshjet i takojnë Ligës së Kombeve të UEFA-s. 

Muriqi, që llogaritet lojtari kryesor i Kosovës, të paktën në sulm, ka pësuar lëndim. Mediat spanjolle kanë raportuar të shtunën se sulmuesi i Mallorcas ka këputur fije muskulore në muskujt e prapmë të kofshës dhe do të mungojë tri deri në katër javë. Ndeshja me Lituaninë është saktësisht pas tri javësh dhe ka rrezik që sulmuesi i fuqishëm mos të rikuperohet me kohë. Madje ai mund të mos grumbullohet fare me përfaqësuese.

“Lajme të këqija për Mallorcan. Vedat Muriqi ka pësuar këputje në hamstring dhe do të jetë jashtë prej tri deri në katër javë. Ai do të jetë jashtë për ndeshjen e së hënës ndaj Real Betisit, por edhe për ndeshjet e ardhshme në La Liga”, ka shkruar Marca të shtunën.

Mediumi lokal nga Mallorca, “Diario De Mallorca”, ka shkruar se Muriqi mbetet në dyshim edhe për ndeshjen e 20 tetorit. Pra edhe për ndeshjen e parë të La Ligas pas pushimit të ardhshëm ndërkombëtar.

“Muriqi do të mungojë në tri ndeshjet para pushimit ndërkombëtar të tetorit, ndaj Betisit të hënën, ndaj Valladolidit e Espanyolit. Do të varet nga progresi i tij nëse do të jetë gati për ndeshje ndaj Rayo Vallecanos më 20 tetor. Të premten, pas ditës së lirë të skuadrës, Muriqi është parë duke ushtruar i ndarë nga grupi. Dhe 48 orë para ndeshjes me Betisin, lëndimi i tij është konfirmuar”, ka shkruar mediumi nga Mallorca.

Gjatë grumbullimit të fundit të Kosovës, Muriqi kishte pasur telashe fizike. Madje nuk ishte ushtruar disa ditë para ndeshjes me Qipron. Paraqitja e tij në atë ndeshje ishte në rrezik, por Muriqi luajti dhe madje i realizoi dy gola. U zëvendësua pas pjesës së parë.

Pas kthimit te Mallorca, Muriqi u paraqit në dy ndeshje në La Liga. Më 14 shtator kompletoi ndeshjen ndaj Villarrealit, ndërsa më 17 shtator ishte zëvendësues në fitoren ndaj Real Sociedadit. 30-vjeçari ka një gol e një asistim në gjashtë paraqitje në La Liga këtë edicion. Por mbetet sulmuesi kryesor i skuadrës spanjolle.