Futboll

Kosova pa Zhegrovën e me dy lojtarë të talentuar ndaj Islandës

Franco Foda

Ashtu si pritej, Kosova do të jetë pa Edon Zhegrovën në dy ndeshjet me Islandën, që i takojnë plejofit për Ligën B në Ligën e Kombeve. Zhegrova është duke munguar që nga dhjetori, ndërsa emri i tij nuk ishte në listën e publikuar të premten nga selektori i Kosovës, Franco Foda.

Foda i ka ftuar 26 futbollistë, ndërsa e ka edhe një listë rezervë me emrat e nëntë lojtarëve. Selektori i “Dardanëve” pritet të bazohet në futbollistët tashmë të dëshmuar. Kapiteni Amir Rrahmani do ta udhëheqë mbrojtjen, ndërsa në sulm me shumë gjasë do të startojë Vedat Muriqi. Milot Rashica pritet të paraqitet në njërin krah, ndërsa mesfusha do të formohet rreth Elvis Rexhbeçajt.

Janë tre emra të rinj në listën e Fodas. Është ftuar Vesel Demaku, që ishte paralajmëruar më herët se do të bashkohet me Kosovën.

Demaku 25-vjeçar, luan në mesfushë, ndërsa është pjesë e skuadrës austriake, Altach. Kjo skuadër është e fundit në Bundesligën austriake. Demaku ka luajtur për grupmoshat e reja të Austrisë, ndërsa po paraqitet rregullisht për skuadrën e tij.

Mbrojtësi 20-vjeçar i Prishtinës, Dion Gallapeni, është tjetër emër i ri te Kosova. Në janar ai ishte pjesë e një grumbullimi që Foda e pati me lojtarë me potencialë. Më herët ka luajtur për Kosovën U21. Ka pasur raportime se Gallapeni mund të kalojë te Shqipëria, por ndërkohë u ftua nga Kosova A.

Për herë të parë te Kosova A ftohet edhe Lirjon Abdullahu. Bëhet fjalë për 16-vjeçarin që po zhvillohet te Stuttgarter Kickers në Gjermani. Ai po shquhet në kategori të reja në Gjermani, ndërsa Foda ka vendosur ta promovojë në përfaqësuesen A. Lojtari ofanziv e ka një gol në një paraqitje me Kosovën U17.

Gjasat që këta tre lojtarë ta fitojnë rastin ndaj Islandës megjithatë nuk janë të mëdha. Konkurrenca për pozitat ku ata luajnë është goxha e madhe.

Në ndeshjet e rëndësishme me Islandën, Foda pritet t’u besojë lojtarëve me përvojë.

Ndeshja e parë është të enjten e ardhshme në “Fadil Vokrri” nga ora 20:45. Më 23 mars, Islanda e pret Kosovën në Spanjë. Përfaqësuesja më e suksesshme në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve luan në Ligën B. Në edicionin e kaluar Kosova ishte në Ligën C, ndërsa Islanda në Ligën B.

Sërish te Kosova ka lojtarë që kanë telashe në klubet e tyre. Për shembull portieri Aro Muriq nuk ka luajtur që nga 1 shkurt për Ipswich Townin në Angli. Lojtari ofensiv, Florent Muslija, lojën e fundit për Freiburgun e Bundesligës gjermanee ka më 3 dhjetor. Ai ka pasur një lëndim më pas, por Foda megjithatë e ka ftuar. Muslija së fundi i luajti dy ndeshje me ekipin e dytë të Freiburgut.

Përfaqësuesja grumbullohet të hënën në Prishtinë.

Nga lista rezervë rastin e presin Faton Maloku, Muhamet Hyseni, Bersant Celina, Art Smakaj, Elvir Gashijani, Astrit Selmani, Leard Sadriu, Qëndrim Zyuba dhe Ismet Lushaku.

Tjetër mungesë që bie në sy në listën e Fodas është ajo e Meriton Korenicës, që po kalon formë të mirë në Rumani.

Përfaqësuesja e Kosovës për ndeshjet me Islandën

Amir Shaipi, Arijanet Muriq, Visar Bekaj

Mërgim Vojovjda, Florent Hadërgjonaj, Amir Rrahmani, Ilir Krasniqi, Lumbardh Dellova, Fidan Aliti, Andi Hoti, Leart Paqarada, Donat Rrudhani, Dion Gallapeni

Ermal Krasniqi, Emir Sahiti, Valon Berisha, Vesel Demaku, Elvis Rexhbeçaj, Lindon Emërllahu, Baton Zabërgja, Lirjon Abdullahu, Milot Rashica, Fisnik Asllani, Florent Muslija, Albion Rrahmani, Vedat Muriqi