Futboll

Kosova nis përgatitjet me 18 lojtarë dhe pa kapitenin Rrahmani

Stervitja e Perfaqesueses se Kosoves ne futboll

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të hënën pasdite e ka zhvilluar seancën e parë përgatitore për ndeshjet kundër Islandën në Ligën e Kombeve. 

Në stërvitjen e mbajtur në kampin nacional të FFK-së të pranishëm ishin 18 futbollistë. Por, “Dardanëve” në stërvitjen e parë u mungoi kapiteni Amir Rrahmani. Paraqitja e Rrahmanit është në dyshim për ndeshjen e parë ndaj Islandës. Ai u lëndua gjatë ndeshjes që Napoli e luajti ndaj Venezias në Serie A. 

“Dardanët” të enjten përballen me Islandën në kuadër të plejfoit për Ligën B të Ligës së Kombeve. Ndeshja e parë Kosova – Islanda luhet nga 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Kosova ndeshjen e kthimit e luan në Murcia të Spanjës më 23 mars.

“Është ndjenjë e mirë të jesh gjithnjë pjesë e kombëtares. Atmosfera është shumë e mirë. Jemi kënaqur të gjithë së bashku, jemi bërë si familje dhe shpresojmë këto dy ndeshjet të tregojmë veten. Luajmë në shtëpi ndeshjen e parë dhe duhet ta fokusojmë duke u fokusuar 100 %. Për këtë ndeshje duhet të koncentrohemi vetëm te vetja jonë. Kemi lojtar të mëdhenj, me lojtarë të talentuar dhe duhet ta fitojmë këtë ndeshje në shtëpi. Synimi jonë është ngritja në Ligën B të Ligës së Kombeve”, ka thënë sulmuesi i Hamburgut, Emir Sahiti.

Nën urdhrat e përzgjedhësit të Kosovës, Franco Foda, të hënën ishin Andi Hoti, Dion Gallapeni, Ermal Krasniqi, Leart Paqarada, Milot Rashica, Mërgim Vojvoda, Vedat Muriqi, Florent Muslija, Aro Muriq, Visar Bekaj, Lumbardh Dellova, Fidal Aliti, Elvis Rexhbeçaj, Albion Rrahmani, Lirjon Abdullahu, Lindon Emërllahu, Qëndrim Zyba dhe Emir Sahiti. 

Për shkak të angazhimit me klubet e tyre në fundjavë, krahas kapitenit Rrahmani munguan edhe Valon Berisha, Ilir Krasniqi, Amir Shaipi, Donat Rrudhani, Baton Zabërgja dhe Vesel Demaku. 
Për shkak të lëndimeve, Kosovës do t’i mungojnë edhe Florent Hadërgjonaj, Fisnik Asllani dhe Edon Zhegrova. 

Hadërgjonaj dhe Asllani ishin të ftuar për dy ndeshjet e këtij muaji por për shkak të lëndimeve që i pësuan te skuadrat e tyre nuk do të mund ta ndihmojnë Kosovën. 
Zhegrova është i lënduar që nga dhjetori i vitit të kaluar. 

“Nuk e kam pritur ftesën, sepse jam 16-vjeçar. Megjithatë jam i kënaqur për të treguar vlerat e mia në Kombëtaren A. Më kanë pritur shumë mirë. Nuk e kanë pritur edhe të tjerët që mund të jetë pjesë e grumbullimit një 16-vjeçar. I falënderoj të gjithë për pritjen e mirë. Për një 16-vjeçar nuk është lehtë të përfshihet në ekipin A dhe t’i tregojë vlerat e tij. Është ndjenjë e mirë të luash për Kosovën. Dua t’u tregoj të gjithëve se çfarë di unë”, ka thënë talenti 16-vjeçar i Stuttgarter Kickers U17, Lirjon Abdullahu.

Përfaqësuesja e Kosovës më 6 qershor në Prishtinë luan miqësore ndaj Armenisë.  Prej shtatorit, për Kosovën fillojnë kualifikimet për Botërorin 2026. Ndeshjen e parë e ka më 5 shtator ndaj Zvicrës në udhëtim.