Stadiumi “Fadil Vokrri” është stadiumi i vetëm që plotëson kriteret minimale për ndeshje të Përfaqësueses A të Kosovës në futboll. Ka premtim nga shtetit se brenda dy vjetëve Kosova do t’i ketë të paktën katër stadiume të kategorive të larta, të gatshme për lojë.
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll edhe për një kohë shtëpi të vetme për ndeshje kualifikuese do ta ketë stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Por, Kosova do ta ketë edhe një shtëpi të re në të ardhmen, jo shumë larg stadiumit ku javën e ardhshme Kosova do ta pres Islandën në ndeshje ne parë të pljeofit të Ligës së Kombeve e po ashtu edhe kundërshtarët e kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.
Kosova në të ardhmen mund t’i zhvilloj edhe në Hajvali ndeshjet e saj kualifikuese. Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka bërë të ditur se stadiumi kryesor i Kampit Nacional në Hajvali do të bëhet i kategorisë së katërt. Ndërtimi i Kampit është projekt i fituar nga Federata e Futbollit të Kosovës, ndërsa financohet nga Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA).
“Kosova ka aplikuar me kërkesën për 14 mijë ulëse për stadiumin në Kampin Nacional në Hajvali. Ky projekt ka kaluar dhe bashkë me projektet e tjera të ndryshme kanë marrë aprovimin për mbështetje nga programi HatTrick, njëherësh programi më i madh për zhvillimin e futbollit dhe solidaritetin. Gjatë ditës delegacioni ka vizituar edhe Kampin Nacional në Hajvali projektin më të madh të FFK-së deri më tani, i cili është përkrahur fuqishëm nga programi HatTrick. Ata panë nga afër edhe punimet që po bëhen në stadiumin më të ri në Kosovë i cili do të jetë vatër e të gjitha ndeshjeve të Kombëtares”, shkruan në njoftimin e FFK-së të enjten pas mbledhjes së Komitetit “hat-trick” të UEFA-s të mbajtur në Prishtinë.
Në stadiumin e qytetit të Prishtinës, që është i vetmi aktualisht që plotëson kriteret për ndeshje të seniorëve të Kosovës, luajnë edhe klubet në garat kualifikuese të Ligës së Kampionëve, Ligës së Evropës dhe Ligës së Konferencës.
Aktualisht është duke u punuar në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë dhe disa stadiume, fusha e palestra të tjera. MKRS-ja e bindur se Kosova do të jetë e para në rajon për stadiume futbolli.
“Në vitin 2030, kur mbahen ‘Lojërat Mesdhetare’, pas përfundimit edhe të stadiumit nacional, Kosova do të ketë infrastrukturën më të mirë të futbollit në rajon”, shkruan në përgjigjen e MKRS-së.
Kosova përkatësisht Prishtina është organizatore e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030. Qindra miliona euro pritet të investohen për të përmirësuar infrastrukturën sportive para se të mbahet kjo ngjarje shumësportëshe.
Aktualisht infrastruktura është larg standardeve që kërkohen për këtë ngjarje.
Në vitet e fundit janë ndërtuar shumë objekte sportive në Kosovë. Por fare pak prej tyre janë ndërtuar si duhet, me standardet e kërkuara dhe me material cilësor. Kjo bën që telashet thuajse në të gjitha objektet sportive të jenë të mëdha. Deri më tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë për punët e bëra keq, të kryera shkel e shko dhe ato të lëna në gjysmë.
Për shembull në Istog, ku palestra e re është bërë e pashfrytëzueshme dhe tani po rinovohet.
Është bërë “histori” edhe rinovimi i stadiumit në Gjilan e objekteve të tjera.