Futboll

Kosova kthen fokusin te ndeshja me Qipron, planifikon edhe tri pikë

Kosova

Pas fitores së vështirë në Kaunas ndaj Lituanisë, Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka vazhduar përgatitjet për duelin e radhës. Synimi mbetet i njëjtë – tri pikë të reja. 

Kosova të shtunën fitoi 2:1 ndaj Lituanisë, ndërsa të dielën ka nisur menjëherë përgatitjet për duelin ndaj Qipros, që zhvillohet të martën nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Edon Zhegrova dhe Ermal Krasniqi i shënuan golat e fitores në Lituani. Për Krasniqin ishte goli i parë me fanellën e Kosovës.

Në këtë ballafaqim debutoi Amir Shaipi në portë, ndërsa Muharrem Jashari e zhvilloi ndeshjen e parë garuese me “Dardanët”.

Kosova në Grupin C2 të Ligës së Kombeve i ka gjashtë pikë nga tri ndeshje, tri më pak se Rumania që i prin grupit. Qiproja i ka tri pikë, ndërsa Lituania është ende pa pikë.

Të dielën në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali ishin të pranishëm futbollistët që u aktivizuan si zëvendësues ndaj Lituanisë dhe ata të cilët nuk kanë luajtur fare.

Titullarët kanë qëndruar në hotel për ta përfunduar fazën e rigjenerimit. Stërvitjen e udhëhoqi selektori Franco Foda.

Florent Hadërgjonaj dhe Fisnik Asllani kanë folur për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Hadërgjonaj luajti gjysmë ore lojë, ndërsa Asllani u inkuadrua dy minuta para fundit.

Mbrojtësi i Alanyasporit në elitën turke të futbollit, Hadërgjonaj, ndeshjen ndaj Lituanisë e ka vlerësuar shumë të vështirë.

“Nuk ka qenë lehtë për ne, por besoj që patëm lojën nën kontroll gati 80-85 minuta. Një gabim i vogël normal që na shqetësoi pak. Por ajo është normale në futboll. Besoj që më në fund e merituam atë fitore. Kemi luajtur si ekip shumë mirë bashkë. Kemi luftuar për njëri-tjetrin dhe kemi pasur një atmosferë të jashtëzakonshme në fushë”, ka deklaruar Hadërgjonaj.

Mbrojtësi i krahut të djathë ndeshje të vështirë pret edhe ndaj Qipros.

“Nesër është stërvitja e fundit para lojës. Besoj që kryesorja është që të rigjenerohemi mirë, ta fitojmë energjinë sa më shpejt për të pasur forcë sa më shumë për të martën. Nuk do të jetë ndeshje e lehtë, por edhe më herët e thashë se e kemi ditur se duhet të fitojmë ndaj Lituanisë për të pasur shpresa. Në ‘Fadil Vokrri’ ndaj Qipros do të shkojmë për fitore. Aty nuk ka asnjë diskutim”, është shprehur Hadërgjonaj.

Ndërkohë Asllani, sulmues i Elversbergut në Bundesliga 2, beson se pikët e plota Kosova do t’i fitojë edhe ndaj Qipros.

“Besoj që ka qenë një fitore shumë e rëndësishme. Ka qenë një lojë shumë e vështirë ndaj Lituanisë që ka luajtur futboll shumë të mirë. Por besoj që tash është një atmosferë e mirë në ekip që morëm tri pikët në Kosovë. Besoj që në lojën e ardhshme me Qipron do të marrim sërish tri pikë”, ka thënë 22-vjeçari.

Fisnik Asllani për ndeshjen në Prishtinë pret edhe mbështetjen e madhe të tifozëve.

“Besoj se do të jetë një lojë shumë e mirë, sepse i kemi edhe ‘Dardanët’ pas nesh dhe besoj se do të na ndihmojnë gjatë lojës. Do ta japim maksimumin e pastaj t’i marrim tri pikë sërish”, ka deklaruar Asllani.

Kosova më 15 nëntor luan në udhëtim te Rumania, që vlerësohet edhe ndeshja vendimtare për renditjen përfundimtare në grup. Edicionin e katërt të Ligës së Kombeve, Kosova e mbyll më 18 nëntor, me duelin në shtëpi ndaj Lituanisë.

Në shtator, Kosova fillimisht humbi 3:0 në shtëpi nga Rumania e më pas fitoi 4:0 në udhëtim ndaj Qipros.