Kosova nuk i nisi në mënyrë pozitive kualifikimet për Kampionatin Evropian të vitit 2025 për futbolliste. Të premten në Antalya të Turqisë futbollistet e Kosovës pësuan 2:0 nga Ukraina. Të martën i pret tjetër ndeshje sfiduese.
Kosova luan ndaj Uellsit, në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, nga ora 14:00. Uellsi është favoriti i Grupit 4 të Ligës B. Në short ishte në vazon e parë, Kroacia në vazon e dytë, Ukraina në të tretën e Kosova në të katërtën.
Po të premten Uellsi fitoi 4:0 ndaj Kroacisë në Wrexham.
Te Kosova shpresojnë në paraqitje më të mirë, ndonëse janë të vetëdijshme për forcën e kundërshtareve.
“Tani jemi para një sfide të re. Dihet që kemi një grup me kombëtare më të forta, sepse jemi në Ligën B. Me Uellsin pritet të jetë një ndeshje edhe më e vështirë. Por pavarësisht kundërshtarit ne jemi të gatshme çdoherë të japim maksimumin tonë”, ka thënë futbollistja ofensive e Kosovës, Kaltrina Biqkaj.
23-vjeçarja është rekordmene sa u takon paraqitjeve me Përfaqësuesen e Kosovës. Ka tetë gola në 49 paraqitje.
Biqkaj startoi në ndeshjen ndaj Ukrainës, kurse luajti deri në minutën e 80-të. Ukrainaset i shënuan golat në pjesën e parë dhe mbajtën epërsinë në të dytën.
“Jemi duke u munduar t’i përmirësojmë gabimet dhe disa lëshime të vogla por të rëndësishme nga ndeshja e kaluar. Duke e ditur që Uellsi është ekip kombëtar më i madh dhe më i fortë se Ukraina, qëllimi ynë është të qëndrojmë sa më kompaktë, të funksionojmë të bashkuara dhe t’i evitojmë sa më shumë gabimet”, ka shtuar Biqkaj.
Para ndeshjes me Ukrainën, Kosova ishte në seri prej 14 ndeshjeve pa humbje. Kishte 13 fitore në këtë seri impresive, gjatë së cilës nga Liga C kaloi në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Kualifikimet për Evropian këtë herë po mbahen në formatin e Ligës së Kombeve. Pra, përfaqësueset janë të ndara në tri nivele, përkatësisht në tri liga. Dhe Kosova po paraqitet në Ligën B. Ky nivel është më i lartë se ai i përfaqësueseve të cilat i ka mposhtur Kosova gjatë vitit 2023 dhe në shkurt të këtij viti.
Uellsi i ka shumicën e lojtareve në klube të mëdha në Angli si Manchester United, Chelsea, Tottenham, Liverpool. Megjithatë, deri më tani nuk është kualifikuar në ndonjë ngjarje të madhe. Rastin e kërkon në kualifikimet për ”Euro 2025”.
Përfaqësuesja e futbollisteve luan në Podujevë për shkak të rinovimit të fushës së stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Rinovimi veçse ka nisur, ndërsa nuk pritet të përfundojë deri në korrik.
Te Kosova llogarisin edhe në përkrahje të shikuesve në tentim për ta ndalur favoritin e grupit.
“Është ndeshje e rëndësishme. Jemi duke luajtur në Kosovë, në vendin tonë. Kjo paraqet motiv shtesë për secilën vajzë që të paraqitet sa më mirë dhe të japë maksimumin për Kombëtaren tonë”, ka shtuar Kaltrina Biqkaj.
Kosova ndeshjet e radhës i ka në qershor.
Në grupin kualifikues i duhet të renditet në njërën prej tri pozitave të para për të vazhduar në plejof. Nëse mbetet e fundit kthehet në Ligën C.
Tek Uellsi kanë thënë se kanë ende gjëra për të përmirësuar, përkundër fitores bindëse, 4:0, ndaj Kroacisë. Kështu që futbollistet e Kosovës i pret punë shumë e vështirë.