Futbollistet e Përfaqësueses U19 të Kosovës e kanë siguruar kthimin në Ligën A të kualifikimeve të ardhshme për Evropian.
“Dardanet” e reja e fituan edhe ndeshjen e tretë në Grupin 3 të Ligës B të kualifikimeve për Euro 2025.
Të hënën, Kosova U19 në Maltë fitoi ndaj Letonisë me rezultatin e thellë, 4:0.
Alba Shabani në minutën e 36-të realizoi për 1:0.
Gjashtë minuta më pas, Ramize Orana, e realizoi golin e dytë.
Elona Paci në minutën e 59-të realizoi për 3:0.
Golin përfundimtar e shënoi Olsa Maqastena në minutën e 94-t.
Futbollistet e udhëhequra nga Albina Rrahmani në dy ndeshjet e kaluara fituan 6:0 ndaj Maltës dhe 2:1 ndaj Kazakistanit.
Kosova U19 e mbylli grupin në vendin e parë me nëntë pikë. Letonia u rendit në pozitën e dytë me katër pikë. Malta me dy pikë e zuri vendin e tretë dhe në pozitën e fundit mbeti Kazakistani me vetëm një pikë.
Kualifikimet janë të ndara në dy faza. Të dy fazat e kanë Ligën A dhe Ligën B. Prej Ligës B të fazës së dytë kualifikimi në Evropian nuk është i mundur. Garohet vetëm për kalim në Ligën A në ciklin e ardhshëm kualifikues.
Kosova U19 në raundin e parë ishte në Ligën A, por i humbi të gjitha ndeshjet dhe ra në B për raundin e dytë.