Pas eliminimit të Liverpoolit nga çerekfinalja e Ligës së Evropës, trajneri Jurgen Klopp është shprehur se skuadra e tij duhet të përqendrohet në ndjekjen e titullit të Premier Leagues, shkruan të premten mediumi anglez “Reuters”.
“Të zhgënjyer që nuk kaluam, por jo të frustruar apo të zemëruar. Tani mund të përqendrohemi te liga dhe kjo është ajo që do të bëjmë, kemi disa ditë për t'u rikuperuar dhe më pas do të luajmë me Fulhamin, gjë që do të jetë e ndërlikuar, por ne do të japim gjithçka. Kjo është konkurrenca jonë tani", tha Klopp.
Të enjten Atalanta e eliminoi Liverpoolin nga Liga e Evropës me rezultat të përgjithshëm 3:1.
Skuadra angleze aktualisht është në garë për titullin e Premier Leagues. Ata renditen në vendin e tretë në tabelë me 71 pikë. Me pikë të njëjta Arsenali gjendët në vendin e dytë, ndërsa Manchester City është lider me 73 pikë.
Për gjermanin Klopp ky është edicioni i fundit si trajner i Liverpoolit, pasi ai ka paralajmëruar largimin në verën e këtij viti.