Sulmuesi kosovar, Kemal Ademi, ka bërë lëvizjen e radhës në karrierë.
Të martën shtatlarti është prezantuar te skuadra e elitës kroate, Osijek. 28-vjeçari së fundi ishte pjesë e Luzernit në Superligën e Zvicrës.
Ademi me Osijekun ka firmosur për dy vjet. Sipas njoftimit të Osijekut, Ademi e njeh shumë mirë gjuhën kroate.
Kalimi në Osijek mund të vlerësohet hap prapa për karrierën e Ademit, duke marrë për bazë potencialin që e kishte. Pasi kishte shkëlqyer te Baseli, ai ishte transferuar te gjiganti turk, Fenerbahçe. Më pas ka luajtur për Khimkin në Rusi, ndërsa kishte periudha huazimi te Paderborni dhe Sandhauseni në Gjermani. Te Luzerni së fundi nuk është se shfaqi shumë dhe tani do të testohet në kampionatin kroat. Ka luajtur edhe për skuadra si Xamax, Hoffenheim II dhe St. Gallen U21.
Për shumë kohë Ademi është kërkuar nga Kosova. Por sulmuesi nuk ka shprehur gatishmëri.