Challandes vazhdon të mbetet selektori më i suksesshëm i Kosovës, ndonëse është përballur me telashe e sfida të shumta, sidomos të brendshme. Dhe ndoshta ishte në moshën më të mirë për ta drejtuar përfaqësuesen e Kosovës.
Se në futboll, përkatësisht në punën e trajnerëve nuk ka moshë, dëshmon rasti i Rumanisë. Selektori i Rumanisë, Mircea Lucescu është 79-vjeçar.
Lucescu është legjendë e futbollit rumun dhe jo vetëm. I lindur në fundin e korrikut të vitit 1945 në Bukuresht, Lucescu njihet si njëri prej trajnerëve më të dekoruar në histori. Dhe rumunët e kanë paraqitur me entuziazëm kthimin e tij në krye të përfaqësueses. Nuk është një kthim i zakonshëm. Është kthim në krye të përfaqësueses pas plot 38 vjetësh.
Lucescu e ka drejtuar Rumaninë si selektor nga viti 1981 e deri në vitin 1986. Ishte angazhimi i tij i parë i plotë si trajner, pas përvojës lojtar/trajner te skuadra Corvinul Hunedoara.
“Mircea Lucescu kthehet në përfaqësuesen e Rumanisë pas 38 vjetësh, duke udhëhequr stërvitjen e parë në pozitën e tij të re si selektor o ‘trekolorëve’. Trajneri më i suksesshëm rumun dhe legjenda e vërtetë e futbollit të Rumanisë, Lucescu, kthehet në krye të përfaqësueses në fillim të rrugëtimit për Kupën e Botës 2026”, shkroi federata rumune të dielën, pas stërvitjes së parë të udhëhequr nga Lucescu.
Lucescu po e përgatit përfaqësuesen rumune për ndeshjen e së premtes ndaj Kosovës në Prishtinë. Është ndeshja e parë e edicionit të ri të Ligës së Kombeve, që ka ndikim edhe në kualifikimet për Botëror.
“Pritjes i erdhi fundi. Është moment emocional dhe shprese për të gjithë tifozët e futbollit në Rumani. I dëshirojmë Lucescut fat në angazhimin e tij të ri”, ka shkruar tutje federata rumune.
Lucescu ishte i suksesshëm edhe si futbollist. Ka fituar shtatë tituj të Rumanisë me Dinamon e Bukureshtit. Për Rumaninë i ka luajtur mbi 70 ndeshje, ndërsa ishte kapiten i përfaqësueses në Kupën e Botës 1970, ku Rumania kishte paraqitje të mira. Sa i takon karrierës si trajner, ai ka bërë histori sidomos te Shakhtar Donetsku në Ukrainë. Këtë skuadër e ka udhëhequr për plot 12 vjet, ndërsa ka fituar tetë tituj të kampionit, gjashtë kupa të Ukrainës, shtatë Superkupa dhe Kupën e UEFA-s në vitin 2009.
Në Ukrainë ka fituar trofe edhe me Dinamo Kievin, rivalin e Shakhtarit. Ka fituar tituj të kampionit në Rumani si trajner i Dinamo Bukureshtit dhe Rapid Bukureshtit. Në Turqi tituj të kampionit ka fituar me Galatasarayn e Beshiktashin.
Shumë herë është shpallur trajner i vitit në Rumani e edhe më shumë në Ukrainë. Ka plot 38 trofe të fituar si trajner dhe renditet i treti në këtë listë. Në vitin 2015 u bë vetëm trajneri i pestë me 100 ndeshje në Ligën e Kampionëve. Atëbotë ishte në shoqëri me Alex Fergusonin, Carlo Ancelottin, Arsene Ëengerin dhe Jose Mourinhon.
Në Itali ka drejtuar Interin, Pisa, Brescian e Reggianan. Ka drejtuar edhe Zenitin në Rusi dhe po ashtu përfaqësuesen turke.
Lucescu është shumë i motivuar për sfidën e re në karrierë.
“I gjithë shpirti i Rumanisë do të jetë me mua. Dhe do të jenë sidomos ata mbi 70 vjet që do të të shohin tek unë motivimin. Dua t’u jap atyre ndjenjën që është e mundur. Në moshën 79-vjeçare, të marr një pozitë të tillë, ku të gjithë ju shikojnë. Pavarësisht se çka ndodhë, ne kemi një armatë të tifozëve pas nesh. Duhet të bëjmë çdo gjë të mundur për t’i bërë ata krenarë”, ka thënë Lucescu.
Rumania u paraqit në “Euro 2024” dhe u vlerësua për rezultatet. Edi Iordanescu u largua nga posti i selektorit pas Evropianit dhe tani rumunët i udhëheq ikona e tyre.
“Mircea Lucescu është monument i futbollit, nuk i duhet asnjë prezantim atij. Është prej trajnerëve më të suksesshëm në botë dhe është e jashtëzakonshme të përfitojmë prej përvojës së tij. Është një fillim i ri për ne dhe unë dua ta shijoj këtë përvojë me Lucescun”, ka thënë Andrei Burca, njëri prej reprezentuesve të Rumanisë.
“Dora” e Lucescut te Rumania mund të vërehet që të premten mbrëma në “Fadil Vokrri”. Ai është prej trajnerëve më të mëdhenj që vjen në stadiumin në Prishtinë, nëse jo më i madhi.