Futboll

Kapitenia e Kosovës, njëra prej lojtareve që mund të shkëlqejë në kualifikime për “Euro 2025”

Erëleta Memeti

Erëleta Memeti është kapitene dhe lidere e Përfaqësueses së Kosovës në futboll. 24-vjeçarja luan në Bundesligën e Gjermanisë për Hoffenheimin dhe mbulon pozita të shumta në fazën ofensive. Sukseset e Kosovës varen jo pak nga forma e shfaqur nga Erëleta Memeti.

Ajo është njëra prej pesë lojtareve që mund të shkëlqejë në kualifikimet për “Euro 2025”, që nisin këtë javë. Kështu të paktën ka vlerësuar sajti i specializuar për analiza të futbollit “totalfootballanalysis.com”.

Memeti është përzgjedhur në mesin e pesë futbollisteve që mund të shkëlqejnë në kualifikime, në bazë të të dhënave statistikore të saj. Sajti ka përzgjedhur pesë lojtare që nuk janë prej më të njohurave në Evropë, por që kanë ndikim shumë të madh në përfaqësueset e tyre.

“Kosova nuk është përfaqësuese e mbushur me lojtare të nivelit të lartë. Por një ose dy lojtare mund të bien në sy gjatë muajve të ardhshëm. Njëra pad yshim që është Erëleta Memeti. Ajo luan në Bundesligë te skuadra Hoffenheim, që kërkon vendin në Champions. Pasi Kosovës i mungon një kërcënim i përgjithshëm sulmues, Memetit shpesh i është kërkuar të luajë në pozita më sulmuese se që është mësuar. Kështu, ajo ka demonstruar cilësi të tjera të lojës, që nuk bien në sy kur luan për skuadrën në Gjermani. Një prej tyre është ritmi i lartë dhe loja një kundër një. Erëleta ka kaluar kundërshtaret kur zotëronte topin dhe kërkonte të hynte në zonas pas lojtareve kundërshtare, në mënyrë që Kosova të rrezikojë sa më shumë që është e mundur”, ka shkruar sajti i specializuar për statistika.

Sipas “totalfootballanalysis”, vrapimet e Erëleta Memetit janë shumë inteligjente. Vrapon në atë mënyrë që i huton kundërshtaret dhe mundëson që të krijohen hapësira për bashkëlojtaret. Është bërë një analizë e thellë e mënyrës se si Memeti lëviz në fushë dhe sa shumë përfiton Kosova prej saj.

“Pavarësisht se në cilën pjesë të fushës paraqitet, nuk ka dyshime që ajo do të jetë lojtare që vështirë ndalet. Te Uellsi, Kroacia dhe Ukraina duhet të kujdesen për ta ndalur kapitenen e Kosovës”, ka shkruar TFA.

Memeti, 24-vjeçare, për Kosovën i ka dhjetë gola në 28 ndeshje. Është golashënuesja më e mirë.

Kosova të premten luan ndaj Ukrainës në Antalya të Turqisë. Më 9 prill, Kosova e pret Uellsin në Podujevë.