Në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve të UEFA-s, Kosova përfundoi e dyta në grup në Ligën C, që është niveli i tretë i kësaj gare. Grupin C2 e kishte fituar Greqia me 15 pikë dhe kështu ishte promovuar në Ligën B. Kosova në gjashtë ndeshje kishte bilanc të përgjysmuar, tri fitore e tri humbje, dhe ishte renditur e dyta me nëntë pikë. Nga pesë pikë i kishin Irlanda e Veriut dhe Qiproja.
Për edicionin e katërt të Ligës së Kombeve, që nisi në shtator e që për Kosovën përfundoi të hënën mbrëma, synimi ishte vendi i parë dhe kështu promovimi në Ligën B. Por Kosova e mbylli kampanjën pa e realizuar synimin kryesor. Në fakt e mbylli edhe kampanjën e radhës pa e arritur synimin.
Prejse ka nisur paraqitjen në kualifikime e më pas edhe në Ligën e Kombeve, Kosova vazhdimisht ka synuar shumë. Dhe ka arritur pak. Ngjarjes së madhe nuk i është afruar ende, por Evropianit 2020, përmes plejofit të Ligës së Kombeve, ku u ndal në gjysmëfinale.
Kosova e synonte edhe paraqitjen në Evropianin që këtë vit u mbajt në Gjermani. Por në grupin kualifikues u rendit vetëm e parafundit. Pra, ishte shumë, shumë larg kualifikimit. Në grup ishte pas Rumanisë, Zvicrës, Izraelit e Bjellorusisë. Prapa e la vetëm Andorrën.
Në muajin shkurt gjermani Franco Foda e mori drejtimin e Kosovës. Ai debutoi me fitore, por vetëm në miqësore ndaj Armenisë. Më pas Kosova humbi miqësoret ndaj Hungarisë e ndaj Norvegjisë, kurse më 6 shtator në Prishtinë humbi 3:0 nga Rumania në nismë të edicionit të katërt të Ligës së Kombeve.
Ajo humbje thuajse caktoi fatin e Kosovës, sa i takon realizimit të synimit për kampanjën e kësaj vjeshte. “Dardanët” më pas lidhën fitoret ndaj Qipros, 4:0 në udhëtim ndaj Lituanisë, 2:1 në udhëtim dhe ndaj Qipros, 3:0 në shtëpi. Të premten e kaluar ndeshja mes Rumanisë e Kosovës u ndërpre. Pas thirrjeve të tifozëve rumunë “Serbia, Serbia”, lojtarët e Kosovës braktisën fushën dhe refuzuan të kthehen. Rezultati ishte 0:0 kur ndeshja u ndërpre në minutat shtesë. UEFA ende nuk e ka regjistruar atë takim.
Ndërkohë të hënën Kosova fitoi me shumë mund, 1:0 ndaj Lituanisë.
Fitoret me Qipron dhe Lituaninë nuk është se llogariten shumë, nëse për bazë merret ku Kosova dëshiron të arrijë. Ato në fakt edhe janë pritur. Prej fillimit është ditur se gara për vendin e parë në grup do të jetë me Rumaninë. Dhe ajo humbje e shtatorit në Prishtinë thuajse përcaktoi këtë garë.
Kosova pritet të përfundojë e dyta në grup. UEFA mund ta regjistrojë ndeshjen 3:0 në të mirë të Rumanisë, kurse opsion është përmendur edhe regjistrimi me rezultatin e arritur në fushë. Edhe nëse UEFA e regjistron 3:0 në të mirë të Kosovës, që ka fare pak gjasa të ndodhë, Rumania do të jetë e para e Kosova e dyta. Dhe vendi i dytë nuk ishte synim i Kosovës.
Vedat Muriqi është lojtari i vetëm i Kosovës që ka pranuar se përfaqësuesja nuk ka realizuar synimin.
“Para fillimit të këtij cikli synim ishte kualifikimi. Por nisëm keq, me humbje ndaj Rumanisë. Nuk mund të them që është maksimumi, por grupi i lojtarëve po përmirësohet. Duhet të vazhdojmë këtë ritëm”, ka thënë Muriqi pas fitores ndaj Lituanisë, ndër të tjera.
Përmirësimi i grupit e rritja e përfaqësueses është përmendur shpesh kur synimi primar nuk është arritur.
Te Kosova ndryshojnë selektorët e në masë edhe lojtarët. Lojtarë të rinj kanë ardhur gjatë ndeshjeve të vjeshtës. Elvis Rexhbeçaj tani është lider i mesfushës, ndërsa Amir Shaipi është kandidat i fortë i Aro Muriqit për vend në portë. Me formën që shfaqi Muharrem Jashari, ai do të jetë kandidat i fortë për të startuar në ndeshjet e vitit të ardhshëm. Në mesfushë së shpejti do të bashkohet edhe Bledian Krasniqi dhe tashmë të gjitha repartet janë të kompletuara.
“Në pesë lojë kemi katër fitore e një barazim dhe jemi në rrugën e duhur. Ekipi ende nuk është aty ku dua të jetë, por po shkon aty ku duhet të jetë. Në fillim më është dashur të provoj shumë dhe për këtë rezultatet ishin më të dobëta. Kemi më shumë lojtarë që mund t’i përzgjedhim. Edhe pa shumë lojtarë të rëndësishëm ia dolëm të marrim pikë dhe të luajmë mirë. Konkurrenca në ekip është më e madhe dhe energjia është tjetër në krahasim me atë që ishte në fillim”, ka thënë selektori Foda.
Vitin e ardhshëm Kosova i zhvillon kualifikimet për Kupën e Botës 2026. Synimi me shumë gjasë do të jetë kualifikimi. Shpresohet që synimet mos të mbesin vetëm të tilla kur të përfundojë kampanja kualifikuese.