Futboll

Jep dorëheqje kryesia e Vllaznisë, njëri nga anëtarët akuzohet për kurdisje

Vllaznia pozharan

Kryesia e klubit Vllaznia e Pozheranit ka dhënë dorëheqje të dielën mbrëma. Njëri prej zyrtarëve të Vllaznisë u dënua me një vit ndalesë të kryerjes së funksioneve zyrtare në klub për përfshirje në kurdisjen e ndeshjes Ulpiana – Vllaznia Pozheran. 

Federata e Futbollit të Kosovës vendosi në prill të këtij viti ta përjashtojë Ulpianën dhe Vllazninë e Pozheranit nga Liga e Parë, pas vendimit për kurdisje. Më 11 prill, Komisioni i Garave të FFK-së kishte bërë të ditur se ndeshja e xhiros së 21-të mes Ulpianës dhe Vllaznisë së Pozheranit ishte e kurdisur.

Ndeshjen e kishte fituar Vllaznia me rezultatin 4:3.Vendimi i Komisionit të Garave ishte konfirmua edhe nga Shkalla e Dytë e FFK-së. “Pas zhvillimeve që tani më janë të njohura në publik që kanë ndodhur me klubin e futbollit KF Vllaznia po ashtu vendimet e marra nga Federata e Futbollit të Kosovës përmes organeve të saj, njoftojmë publikun që si kryesi marrim përgjegjësinë dhe lirojmë pozicionet tona duke dhënë dorëheqje. 

Në takimin e mbajtur sonte, gjithashtu u krijua kryesia e re e klubit, ku kryetar u emërua z. Halit Alidema. Ndërsa kryetar i kuvendit u zgjedh z.Ali Ramiqi. Tani i mbetet kuvendit të klubit ti emëroj strukturat e reja udhëheqëse”, shkruan në njoftimin e klubit nga Pozherani. Ulpiana dhe Vllaznia e Pozheranit në edicionin 2024/2025 do të garojnë në Ligën e Dytë.