Futboll

Jashari thotë se është rritur shumë si futbollist, pret debutim zyrtar me Kosovën

Muharrem Jashari

Muharrem Jasharit nuk i ka munguar kurrë motivimi për ta dhënë maksimumin në fushë. Por të dielën do ta ketë një arsye edhe më te fortë për të treguar se me të drejtë i është bërë ftesa për ta përfaqësuar Kosovën në dy ndeshjet e këtij muaji në Ligën e Kombeve. Kosova më 12 tetor luan në udhëtim te Lituania, ndërsa tri ditë më pas në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë e pret Qipron. Pas dy ndeshjeve të luajtura në Grupin C2, Kosova ka një fitore e një disfatë dhe zë vendin e dytë me tri pikë, aq sa ka edhe Qiproja në vendin e tretë. Rumania i prinë grupit me gjashtë pikë, kurse Lituania është e fundit pa pikë.

Para ndeshjeve me “Dardanët”, Jashari dhe Cherkasy do të luajnë në udhëtim te Shakhtar Donetsku të dielën nga ora 14:30 në ndeshjen e xhiros së nëntë.

Të shtunën, Federata e Futbollit e Kosovës njoftoi se Jashari është ftuar në grumbullimin e Kosovës për ndeshjet e muajit tetor në Ligën e Kombeve në vend të sulmuesit Astrit Selmani. Selmani nuk është 100 për qind i gatshëm për lojë dhe vendin e tij e ka zënë Jashari, mesfushori me tipare sulmuese.

“Gjithmonë e kam pritur ftesën, normalisht. Dhe është ndjenja më e mirë kur merr ftesë për ta përfaqësuar Kombëtaren e Kosovës. Ndihem shumë i lumtur, shumë i motivuar. Mezi pres t’i nis stërvitjet me bashkëlojtarët”, ka thënë Jashari të shtunën për KOHËN.

Në fakt, ftesën Jashari është duke e pritur për kohë të gjatë. Ai ka tri paraqitje me Kosovën, por në miqësore. Minuta pati kundër Guinesë në vitin 2021, dhe ndaj Armenisë e Ishujve Faroe në nëntor të vitit 2022.

Do të jetë vetëm grumbullimi i dytë në ndeshje zyrtare me “Dardanët”. Ishte pjesë e Kosovës edhe në ndeshjen ndaj Spanjës, të cilën Kosova e humbi 2:0 në Prishtinë më 8 shtator në vitin 2021. Ai ballafaqim i takoi kualifikimeve për Botërorin 2022.

Por nuk pati minuta për të në atë kohë, kur Kosova drejtohej nga Bernard Challandes. Minutat zyrtarë, Jashari mund t’i ketë me selektorin Franco Foda.

“Unë kam qenë edhe në një ndeshje zyrtare më herët me Spanjën, por nuk kam debutuar. Por kjo është normale sepse është trajneri ai që vendos për taktika dhe për formacion. Shpresoj të debutojë dhe të kem sa më shumë minuta. Do ta jap jo 100 për qind, por 1000 për qind nga vetja, sepse kjo është Kombëtarja e Kosovës”, thotë mesfushori shtatlartë.

Jashari në vitin 2016-të ishte pjesë e Trepçës ’89, që i besoi aftësive të tij. Ai kishte debutuar në Superligë si 18-vjeçar dhe u zhvillua si futbollist te mitrovicasit. Në vitin 2021 kishte kaluar te skuadra e Dritës, ku ishte prej më të dalluarve po ashtu. Nga janari i këtij viti iu bashkua Cherkasyt në Ukrainë, vendin ku ende ka luftë. Por, transferimi te skuadra elitare e Ukrainës, Jashari thotë se ka qenë i qëlluar. Ai është rritur shumë si futbollist. Në tetë ndeshjet e para të këtij edicioni ka shënuar dy gola dhe ka dhuruar tri asistime.

“Jam ambientuar tani plotësisht. Ardhja këtu normalisht se më ka rritur shumë si futbollist. Këtu ka gjëra tjera nga liga e Kosovës dhe niveli është më i lartë këtu. Por ndihem në formë shumë të mirë dhe do të vazhdojë kështu. Nuk do të ndalem deri sa t’i arrij objektivat e mia”, deklaroi Jashari.

Rritjen dhe përvojën e fituar në Ukrainë, Jashari synon që ta përcjellë edhe te Kosova, në rast se i vjen rasti për të debutuar në ndeshje zyrtare. Mesfusha e Kosovës prej vitesh nuk është në nivelin e kërkuar. Dhe me Jasharin në fushë, Kosova mund të fitojë tjetër armë shtesë.