Futboll

Jashari dhe Club Brugge besojnë në mrekulli

Ardon Jashari

Në mungesë të kapitenit Granit Xhaka, Jashari ishte opsion i parë për t’u paraqitur në mesin e fushës. Por drejtori sportiv i Brugget, thotë se Jashari, i mungoi Zvicrës shkaku lëndimit.

Mesfushori Ardon Jashari nuk pranon se aventura e Club Brugget në Ligën e Kampionëve ka përfunduar. Mesfushori shqiptar i Zvicrës beson se Club Brugge mund ta përmbysë rezultatin ndaj Aston Villës.

Club Brugge humbi ndeshjen e parë 3:1 nga skuadra elitare e Anglisë. Por Jashari tha se mrekullitë mund të ndodhin.

Ndeshja kthyese e një të tetës së finales në Ligën e Kampionëve në mes të  Aston Villës dhe Club Brugget luhet të mërkurën nga ora 21:00.

“Unë mendoj se nuk ka mbaruar ende .Ne luajtëm mirë kundër tyre javën e kaluar, ashtu si në fazën e grupeve. Nuk dihet asnjëherë në futboll. Do të jetë e vështirë dhe ata do të luajnë në shtëpi, por në futboll gjithçka është e mundur .Nuk kemi asgjë për të humbu, kështu që do të japim gjithçka”, ka thënë Jashari.

Jashari 22-vjeçar është bërë lider i mesfushës së klubit belg. Në Ligën e Kampionëve ka luajtur dhjetë ndeshje, kurse në kampionatin belg ka shënuar një gol dhe ka asistuar tri herë në 24 ndeshje. Një gol dhe dy asistime ka edhe për Kupë të Belgjikës.