Adnan Januzaj nuk ka luajtur asnjë ndeshje nga minuta e parë këtë edicion në La Liga të Spanjës. Në total luajti, si rezervist është paraqitur 187 minuta në La Liga këtë edicion. Por 29-vjeçari refuzon të largohet nga skuadra spanjolle. Shkak është paga e lartë që merr te Sevilla. Januzaj paguhet nga Sevilla 2.7 milionë euro neto në vit. Bruto, Januzaj i kushton Sevillas 5.4 milionë euro në sezon. Me skuadrën elitare të Spanjës, Januzaj ka kontratë deri në qershor të vitit 2026.
“Situata ekonomike në të cilën ndodhet Sevilla është shumë e keqe. Dhe ka nevojë për lehtësim financiar. Te Sevilla kanë nisur negociatat me Januzajn dhe me dy lojtarë të tjerë. Por negociatat më të vështira për shkëputje të kontratës i kanë me Januzajn dhe do ta kenë të vështirë ta bindin të largohet. Januzaj e dinë se nuk do të paguhet në asnjë skuadër njësoj si në Sevilla dhe nuk do t’ua lehtësoj largimin”, shkruan sajti i afërt me klubin “Ficherio” të enjten.
Januzaj iu bashkua Sevillas si lojtar i lirë verën e vitit të kaluar. Ai vlerësohet se është lojtari më i dështuar i afruar në klubin spanjoll.
Januzaj në dy edicione me fanellën e Sevillas ka luajtur në 17 ndeshje. Ai nuk ka shënuar asnjë gol, ndërsa ka vetëm një asistim.
29-vjeçari ka luajtur më herët edhe për Bashakshehirin, Real Sociedadin, Manchester Unitedin, Sunderlandin, Borussia Dortmundin. Si i ri ka qenë edhe pjesë e Anderlechtit. Për Belgjikën në 15 ndeshje ka shënuar një gol. Januzaj dikur shihej prej talenteve më të mëdha në futboll. Por karriera e tij ka pasur rënie të madhe.