Janari mund të jetë muaj vendimtar për të përcaktuar të ardhmen e Luis Enriques si trajner i Paris Saint-Germainit. Ndeshjen e parë Parisi e ka të dielën kur përballet me Monacon për Superkupë të Francës.
Derisa në Ligue 1 të Francës skuadra parisiene është e pamposhtur, tregimi është krejt ndryshe në Ligën e Kampionëve.
Tri humbje në formatin e ri të fazës grupore e kanë lënë PSG-në në situatë të keqe dhe klubi ambicioz tashmë përballet me eliminim shumë të hershëm. Me vetëm dy xhiro deri në fund, PSG-ja është në pozitën e 25-të në ligën me 36 skuadra. Pas xhiros së tetë, 12 skuadrat e fundit në tabelë eliminohen.
PSG-ja më 22 janar luan në shtëpi ndaj Manchester Cityt, kampionit të vitit 2023, ndërsa një javë më pas luan në udhëtim ndaj skuadrës gjermane, Stuttgart.
Janë ndeshje të vështira, që bëhen edhe më sfiduese duke ditur që City dhe Stuttgarti janë në pozitë të ngjashme dhe po ashtu kanë nevojë për fitore. Manchester City i ka tetë pikë në pozitën e 22-të. Stuttgarti është në vendin e 26-të me shtatë pikë. Skuadrat prej pozitës së 25-të, ku aktualisht është Parisi, e deri në pozitën e 36-të, eliminohen pas fazës grupore.
Stuttgarti ndeshjen e ardhshme e ka ndaj Slovan Bratislavës, që ka humbur të gjitha gjashtë ndeshjet e deritashme dhe i ka pranuar 21 gola. Kështu që një fitore në atë ndeshje do ta vendoste para PSG-së për raundin final, nëse skuadra e Luis Enriques dështon ta mposhtë Cityn.
City po ka telashe të mëdha në Premier League dhe suksesi eventual në Evropë do të ishte i mahnitshëm për skuadrën e Pep Guardiolas. Kështu që ndeshja me PSG-në është e peshës së jashtëzakonshme për kampionin anglez.
Humbja do të mund të kishte çmim të lartë për Enriquen, që është trajneri i tetë i Parisit, prej se investitorët nga Katari morën drejtimin e klubit në vitin 2011. Carlo Ancelotti është trajneri i vetëm që nuk është shkarkuar gjatë kësaj periudhe. Ai kaloi në Real Madrid në vitin 2013.
Enrique ka pak gjasa të shpëtojë nëse skuadra parisiene turpërohet duke u eliminuar në fazën grupore të Championsit. Tetë skuadrat e para në tabelë kualifikohen direkt në një të tetën, ndërsa 16 të tjera vazhdojnë në plejof.
Lille dhe Bresti janë në tetëshen e parë aktualisht, derisa Monaco është në vendin e 16-të. Parisi është i fundit në tabelë prej ekipeve franceze.
Pavarësisht të arriturave në Francë, ku titulli në Ligue 1 dhe Kupa e Francës priten, Enrique do të vlerësohet në bazë të asaj që ndodh në garën elitare evropiane për klube të futbollit.